Izraeli sulmon forcat siriane dhe iraniane në Siri

18 nëntor 2020 | 13:36

Izraeli ka njoftuar se ka nisur sulme ajrore kundër një numri të objektivave në Siri, kundër ushtrisë siriane dhe Forcës Kuds të Iranit.

Agjencia shtetërore e lajmeve siriane ka raportuar se tre pjesëtarë të ushtrisë janë vrarë dhe një është plagosur gjatë sulmeve.

Sidoqoftë, Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë me seli në Britani të Madhe, ka thënë se gjithsej 10 persona janë vrarë, duke përfshirë pesë luftëtarë të huaj “me gjasë iranianë dhe i përkisnin forcës Kuds, si dhe dy luftëtarë pro-Iranit me kombësi të papërcaktuar”.

Sulmet e Izraelit kanë filluar pasi forcat e sigurisë së saj gjetën eksploziv të vendosur në Rrafshnaltën e Golanit.

Izraeli ka okupuar Rrafshnaltën e Golanit nga Siria në luftën e vitit 1967 dhe më vonë e kishte aneksuar atë.

Nënkolonel, Jonathan Conricus, një zëdhënës ushtarak izraelit, ka thënë se janë goditur tetë objektiva në zonat që shtriheshin nga ana e kontrolluar nga Siria në Rrafshnaltën e Golanit deri në periferinë e Damaskut.

“Objektivat përfshinin selinë ushtarake iraniane në aeroportin ndërkombëtar të Damaskut, një ‘vend i fshehtë ushtarak’ që shërbeu si ‘strukturë pritjeje për delegacione të larta iraniane kur ata shkonin në Siri për të operuar’ dhe ndaj Divizionit të 7-të të forcave të armatosura siriane që mbikëqyr pjesën siriane të Rrafshnaltës së Golanit”, ka thënë Conricus.

Ai ka shtuar se forcat elitare të Iranit, Kuds janë të përfshira në Divizionin e 7-të të ushtrisë siriane.

Izraeli ka goditur vazhdimisht objektivat iraniane në Siri dhe ato të milicive aleate, përfshirë Hezbollahun e Libanit.

Irani është një aleat kryesor i presidentit sirian, Bashar al Assad, por Damasku kurrë nuk e ka pranuar publikisht se forcat iraniane po veprojnë në emër të tij në luftën civile në Siri.

Izraeli e shikon Iranin si kërcënimin e tij më të madh dhe thotë se nuk do të tolerojë krijimin e një pranie të përhershme ushtarake iraniane në Siri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një analizë përfundimtare e fazës së tretë të vaksinës ndaj…