Izraeli thotë se ndodhet në “gjendje lufte” me militantët e Hamasit
Sipas Policisë izraelite, shteti ndodhet aktualisht në “gjendje lufte” me militantët e Hamasit dhe 21 vatra aktive konfliktimesh dhe përballjesh kanë marrë jetë në rajonet jugore.
E gjitha, pasi militantët e Gazës hynë në territor izraelit, pas lëshimit të mbi 5 mijë raketave në 20 minuta, siç pretenduan ata vetë.
Ushtria izraelite thotë se është duke goditur objektiva në Rripin e Gazës në mes të një “vlerësimi të situatës”.
Në media sociale dhe kanale komunikimi ndërkaq po qarkullojnë video makabre, ku pretendohet se eksponentët e Hamasit kanë filluar hyrjet dhe bastisjet në shtëpi izraelite, duke shkaktuar viktima të shumta.
Ato megjithatë mbeten për t’u konfirmuar.
Teksa, edhe viktimat nga këto përballje aktualisht mbeten të paqarta, pasi aksion vijon gjerësisht dhe të dy palët po qëllojnë në mënyrë aktive drejt njëra-tjetrës.
Më parë, mijëra raketa u lëshuan drejt Izraelit, duke ndezur sirenat e sulmit ajror në të gjithë vendin.
Një person është vrarë dhe ka pasur raportime për shpërthime pranë Tel Avivit dhe zonave përreth Gazës.
Grupi militant palestinez Hamas ka marrë përgjegjësinë për sulmin, me krahun e tij të armatosur duke thënë se ka lëshuar 5 mijë raketa në 20 minuta.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se grupi “kishte filluar një gjuajtje masive të raketave nga Rripi i Gazës në territorin izraelit” dhe se militantët kishin hyrë në territorin izraelit në “lokacione të ndryshme”.
Në deklaratë thuhej se shefi i shtabit të përgjithshëm po kryente një “vlerësim të situatës” dhe se Hamasi “do të përballet me pasojat dhe përgjegjësinë për këto ngjarje”.
Ai shtoi se banorëve në zonën përreth Rripit të Gazës u është kërkuar të qëndrojnë brenda, ndërsa civilëve në zonat jugore dhe qendrore “u kërkohet të qëndrojnë pranë strehimoreve”.
Nga agjencia e shpëtimit të Izraelit, Magen David Adom, u tha se një person kishte vdekur dhe 15 të tjerë u plagosën.