Izraeli urdhëron rrethimin e plotë të Gazës
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, ka thënë të hënën se e ka urdhëruar “rrethimin e plotë” të Rripit të Gazës, duke shtuar se autoritetet do ta ndërpresin rrymën, si dhe nuk do ta lejojnë futjen e ushqimit e as karburantit.
Izraeli e kontrollon hapësirën ajrore mbi Gaza dhe vijën bregdetare të saj, si dhe kufizon se kush dhe çfarë mallrash lejohen të futen brenda pikave kufitare dhe të dalin jashtë tyre.
Ngjashëm, Egjipti kontroll se kush futet dhe kush del jashtë kufirit të tij me Gazën.
Izraeli e ka deklaruar luftën formalisht të dielën dhe i ka dhënë ushtrisë dritën jeshile për “hapa të mëdhenj ushtarakë” për t’u hakmarrë ndaj Hamasit për sulmin befasues të së shtunës.
Izraeli ka njoftuar se më shumë se 700 njerëz janë vrarë dhe 100 të tjerë janë rrëmbyer nga Hamasi.
Në Gaza, më shumë se 400 njerëz janë vrarë pas bombardimeve ajrore hakmarrëse nga Izraeli, sipas zyrtarëve palestinezë.
Autoritetet izraelite kanë njoftuar se ushtria izraelite i ka sulmuar më shumë se 1.000 caqe brenda Rripit të Gazës gjatë natës mes 8 dhe 9 tetorit.
Alarme për sulme ajrore janë lëshuar të hënën në Jerusalem dhe në gjithë Izraelin, pasi Hamasi po vazhdon të hedhë raketa nga Gaza, sipas FMI-së.
Të hënën është raportuar për së paku tri shpërthime në Jerusalem. Nuk është e qartë nëse shpërthimet kanë ardhur si pasojë e rënies së raketave, apo parandalimit të tyre nga mbrojtja ajrore e Izraelit, raporton “Rel”.
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Daniel Hagari, ka thënë se ushtria e ka rimarrë kontrollin në shumicën e komuniteteve afër Gazës, megjithëse luftime të izoluara po vazhdojnë me palestinezë të armatosur.
Herët mëngjesin e së hënës, ushtria ka thënë se luftimet po zhvilloheshin në shtatë apo tetë vende brenda territorit Izraelit.
Izraeli i ka thirrur të hënën rreth 300 mijë ushtarë rezervistë për të luftuar kundër Hamasit. Ushtria e Izraelit e ka përshkruar këtë thirrje si më të madhën në historinë e Izraelit për një kohë kaq të shkurtër.
Më shumë se 123 mijë palestinezë në Rripin e Gazës janë zhvendosur brenda vendit, si pasojë e sulmeve ajrore hakmarrëse nga Izraeli në enklavën bregdetare, tha Zyra e Kombeve të Bashkuara për Çështje Humanitare të hënën.
Njerëzit kanë ikur për shkak të frikës, ose për shkak se shtëpitë e tyre janë shkatërruar nga sulmet, ka njoftuar zyra e OKB-së.