Izraeli vazhdon sulmet në Rripin e Gazës
Dy palestinezë janë vrarë nga sulmet ajrore të Izraelit në Rripin e Gazës, duke rritur numrin e vdekjeve në 12, që nga fillimi i ofensivës më 12 nëntor.
Në shenjë hakmarrjeje, militantët palestinezë kanë hedhur raketa në Izrael.
Kjo është dita e dytë e një përshkallëzimi të dhunës ndërkufitare, pasi Izraeli ka vrarë në Rripin e Gazës një komandant të lartë të Xhihadit Islamik, një grup militant palestinez i mbështetur nga Irani.
Izraeli ka thënë se Baha Abu Al-Atta kishte kryer një seri sulmesh ndërkufitare dhe po planifikonte më shumë.
Një sulm raketor izraelit ka shënjestruar gjithashtu shtëpinë e një zyrtari të Xhihadit Islamik në Damask, duke vrarë dy persona, sipas medieve shtetërore siriane. Xhihadi Islamik ka thënë se objektivi ishte shtëpia e liderit politik, Akram Al-Ajuri.
Si përgjigje, militantët kanë gjuajtur rreth 200 raketa në Izrael gjatë gjithë ditës. Sulme e mëtejshme ajrore izraelite mbi objektivat e grupit militant në Gaza kanë vrarë tetë palestinezë.
Hamasi, grupi kryesor militant që drejton Rripin e Gazës, me sa duket po qëndron jashtë luftimeve.
I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Lindjen e Mesme është nisur në drejtim të Kajros për të filluar ndërmjetësimin, në mënyrë që ti jepet fund dhunës, ka thënë një burim diplomatik për “Reuters”.