Izraeli vendos për mbylljen e zyrave të ‘Al Jazeeras’

05 maj 2024 | 13:59

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se qeveria e tij ka votuar në mënyrë unanime për mbylljen e zyrave lokale të transmetuesit televiziv në pronësi të Katarit, “Al Jazeera”.

Netayahu e ka bërë publik vendimin më 5 maj përmes një postimi në “X”.

Por, detajet e ndikimit që do të ketë ky vendim ndaj “Al Jazeeras”, nuk janë ende të qarta. Po ashtu ende nuk dihet se kur do të hyjë në fuqi vendimi dhe nëse është i përhershëm apo i përkohshëm.

“Al Jazeera”, që ka selinë qendrore në Doha të Katarit, ende nuk ka komentuar për vendimin izraelit.

Por, një korrespondent i “Al Jazeeras” në shërbimin arab, ka thënë se ky urdhër do të ndikojë tek operacionet e transmetuesit në Izrael dhe në Jerusalemnin Lindor, prej ku kishte transmetuar drejtpërdrejtë programe që nga 7 tetor, kur ka nisur lufta në mes të Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Korrespondenti ka thënë se vendimi i qeverisë izraelite nuk do të ketë ndikim në operacionet e “Al Jazeeras” në territoret palestineze.

Mediet izraelite kanë thënë se vendimi në kabinetit qeverisës do t’i mundësojë Izraelit që të bllokojë “Al Jazeeran” që të operojë në shtet për 45 ditë, sipas vendimit.

“Qeveria ime vendosi në mënyrë unanime: kanali nxitës ‘Al Jazeera’ do të mbyllet në Izrael”, ka shkruar Netanyahu.

“Al Jazeera” ka mohuar fuqishëm se është një kanal nxitës kundër Izraelit.

Izraeli dhe “Al Jazeera” për një kohë të gjatë kanë mospajtime. Por, vendimi kërcënon rritje tensionesh me Katarin, pasi qeveria në Doha aktualisht po luan rol kyç në përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje që do të ndalte luftën në Gazë.

“Al Jazeera” është një prej mediave të pakta ndërkombëtare që raportojnë nga Gaza që nga nisja e luftës më 7 tetor. Programet në gjuhën arabe të kësaj media shpesh publikojnë edhe deklarata nga Hamasi dhe nga grupe të tjera militante në rajon. Kjo media ishte kritikuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara gjatë ndërhyrjes amerikane në Irak dhe pas rrëzimit të diktatorit irakian, Saddam Hussein. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka…