Izraeli vendos ultimatum për ofensivën tokësore në Gazë
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i ka hedhur poshtë sërish thirrjet për të ndalur ofensivën ushtarake në Gazë, duke u zotuar për “ta përfunduar punën”.
Ndërkohë, një anëtar i kabinetit të tij ka kërcënuar me pushtim të qytetit jugor të Gazës, Rafah, nëse pengjet e mbetura izraelite në duart e Hamasit, nuk lirohen deri në nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit.
Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Qeveria izraelite nuk i ka diskutuar publikisht afatet kohore për ofensivën tokësore në Rafah, ku janë strehuar më shumë se 2.3 milionë palestinezët e ikur prej pjesëve tjera të Gazës.
Gjenerali i pensionuar Benny Gantz, anëtar i kabinetit të Netanyhut, është zë me ndikim, mirëpo nuk dihet nëse e ka fjalën e fundit për atë që mund të ndodhë.
“Nëse deri në nisje të Ramazanit nuk lirohen pengjet, luftimet do të vazhdojnë në zonën Rafah”, ka thënë Gantz në një konferencë të liderëve hebrejo-amerikanë.
Muaji i Ramazanit, që sivjet nis më 10 mars, është zakonisht periudhë që rrit tensionet në rajon.
Në kohën e bllokimit të negociatave për armëpushim, Netanyahu i ka quajtur kërkesat e Hamasit si “iluzione”.
Shtetet e Bashkuara, aleatet kryesore të Izraelit, janë duke shpresuar ende në arritje të armëpushimit dhe marrëveshje për pengjet, dhe janë në kërkim të një zgjidhjeje më të madhe për luftën e nxitur prej Hamasit, për shkak të sulmeve që ka kryer në tokën izraelite më 7 tetor të vitit të kaluar.
Si pasojë e sulmeve janë vrarë 1.200 izraelitë dhe qindra tjerë janë marrë peng.
Izraeli, në anën tjetër, ka treguar qartë se kundërshton thirrjet e SHBA-së për të gjetur një zgjidhje me dy shtete, ani pse edhe një pjesë e mirë e komunitetit ndërkombëtar mbështet një shtet të pavarur palestinez.
Netanyahu ka thënë se Izraeli kërkon “fitore të plotë” ndaj Hamasit.
Duke folur për shqetësimet e ndërkombëtarëve për ofensivën në Rafah, ai ka thënë se civilët palestinezë do të evakuohen, ndonëse nuk dihet se ku do të mund të shkojnë ata, pasi një pjesë e mirë e Gazës është rrafsh me tokë.
Lufta në Gazë ka vrarë të paktën 28.985 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.
Rreth 80 për qind e popullsisë së Gazës është zhvendosur dhe një çerek po përballet me uri.