Izraeli vret kreun e Hamas? Breshëri bombardimesh në Liban
Përshkallëzon rrezikshëm konflikti në Lindjen e Mesme. Pas një fundjave me shkëmbime të rënda zjarri, ushtria izraelite ka nisur valën më të gjerë të sulmeve ajrore kundër Hezbollahut të mbështetur nga Irani, duke goditur njëkohësisht Libanin Jugor, luginën e Bekaa dhe rajonin verior pranë Sirisë, shkruan A2 CNN.
Avionët e Tel Avivit ndërmorën bombardime intensive në qyteza e fshatra, duke goditur 300 objektivë, siç pretendojnë. Sipas autoriteteve në Liban rreth 200 persona kanë mbetur të vrarë e mbi 700 të tjerë janë plagosur.
Më herët Izraeli u bëri thirrje civilëve të largohen nga zonat ku operon Hezbollahu, para se të nisnin sulmet e precizionit të lartë kundër grupit militant. I pyetur nga gazetarët për një inkursion të mundshëm tokësor në Liban, zëdhënësi I forcave të mbrojtjes Daniel Hagari tha se do të bënin gjithçka të nevojshme për të mundësuar rikthimin e sigurt të qytetarëve të evakuuar nga veriu i vendit, në shtëpitë e tyre.
“Së shpejti, IDF do të angazhohet në sulme të gjera dhe të precizionit të lartë kundër objektivave terroriste, të cilat janë ngulitur gjerësisht në të gjithë Libanin. Ne këshillojmë civilët në fshatrat libaneze të vendosura brenda dhe pranë ndërtesave në zonat e përdorura nga Hezbollahu për qëllime ushtarake, që menjëherë të largohen për sigurinë e tyre”.
Kryeministri libanez akuzoi Izraelin për një luftë shfarosjeje, dhe për një plan që synon të shkatërrojë fshatra e qytete libaneze. Ai i bëri thirrje shteteve te fuqishme të OKB-së të ndikojnë për t’i dhënë fund agresionit. Ministri i Mbrojtjes në Izrael tha se sulmet do të vijonin deri në përmbushjen e qëllimit. Ndërsa në media po qarkullon lajmi për vrasjen e mundshme të kreut të Hamas, Jahja Sinuar, IDF tha se nuk mund ta konfirmojnë as mohojnë vdekjen e tij.