Izraelitët e bëjnë rrafsh me tokë konsullatën iraniane në Damask
Shumë njerëz u vranë, përfshirë një komandant të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), nga një sulm ajror izraelit në konsullatën e Iranit në Damask më 1 prill, sipas zyrtarëve sirianë dhe iranianë, mediave dhe grupeve opozitare.
Ky sulmi i ka nxitur zyrtarët iranianë të bëjnë kërcënime për sulme hakmarrëse.
“Gjenerali Mohammad Reza Zahedi, komandant i lartë i trupave të IRGC-së, ra martir nga një sulm i luftëtarëve të regjimit sionist ndaj konsullatës së Iranit në Damask”, raportoi televizinoi shtetëror iranian.
Disa media e identifikuan Zahedin si ish-komandant të trupave të IRGC-së.
Një burim ushtarak u tha agjencive zyrtare të lajmeve në Siri se raketat izraelite u shkrepën nga Largësitë e uzurpuara të Golanit dhe se sistemi mbrojtës raketor i Sirisë i interceptoi disa nga to, por disa të tjera e goditën cakun, duke e “shkatërruar plotësisht ndërtesën” dhe duke i vrarë dhe plagosur “të gjithë që ishin brenda”.
Irani, megjithatë, tha se konsullata u godit nga gjashtë raketa të shkrepura nga avionët luftarakë F35.
Ushtria izraelite tha se nuk komenton raportimet në mediat e huaja.
Shtëpia e Bardhë tha se është e vetëdijshme për këtë ngjarje. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mattheë Miller, tha se Uashingtoni “është i shqetësuar për cdo gjë që do të ishte përshkallëzuese, apo që shkakton rritje të konfliktit në rajon”.
Ambasadori i Iranit në Damask, Hossein Akbar, tha për televizionin sirian se pesë deri në shtatë persona janë vrarë nga ky sulm.
Ambasadori tha se ai dhe familja e tij nuk janë dëmtuar, por u zotua se përgjigja e Iranit do të jetë “e ashpër”.
IRGC-ja tha më vonë se shtatë prej anëtarëve të saj u vranë, përfshirë Zahedin dhe zëdhënësin e tij, Hadi Haji Rahimi.
Ministria e Mbrojtjes e Sirisë tha se Izraeli e sulmoi konsullatën dhe se “të gjithë ata që ishin të pranishëm në ndërtesë u vranë apo plagosën”.
Teherani ka një prani të madhe ushtarake në Siri, derisa Izraeli ka kryer sulm të kohëpaskohshme kundër zonave të lidhura me Iranin në këtë vend, shpesh duke i vënë në shënjestër komandantët e IRGC-së. /REL