Izraelitët shpikin pajisjen që heton tërmetin 4 orë përpara

03 dhjetor 2019 | 18:14

Një sistem që mund t’i parashikojë tërmetet, të paktën katër orë para se ato të regjistrohen, do të testohet në Universitetin Politeknik të Bukureshtit në Rumani. Sipas “Mediafax”, sistemi do të jetë në gjendje ta zbulojë nivelin, intensitetin dhe epiqendrën e përafërt të tërmetit dhe do të testohet në rajonin e Vrançës.

I ndërtuar nga kompania izraelite “Ionoterra”, ai është ende në fazën konceptuale, pas testimeve fillestare të zhvilluara në Turqi dhe Greqi, me përqindje të lartë suksesi.

Në fazën e ardhshme sistemi do të testohet në një prej zonave sizmike më aktive të Evropës, në Vrançë.

Sipas rektorit të Universitetit Politeknik, ai do ta nisë punën në gjysmën e parë të vitit 2020, kur do të fillojë t’u sigurojë autoriteteve informacione mbi tërmetet për të treguar se si funksionon sistemi në praktikë.

Rektori thotë se prova do të realizohet edhe në Kaliforni. “Sipas llogaritjeve të bëra nga Universiteti Politeknik, jemi të bindur se mund të kemi informacione ekstremisht të besueshme, minimalisht 4 orë para. E përsëris, minimalisht 4 orë, pasi maksimumi mund të jetë edhe më tepër”, tha Minea Costoiu, rektor i Universitetit Politeknik të Rumanisë.

Kompania izraelite “Ionoterra”, e cila ndërtoi sistemin dhe e prezantoi atë zyrtarisht në Rumani ditën e premte, pretendon se paralajmërimet për tërmet mund të lëshohen 8 orë para se ai të ndodhë. Testet paraprake u zhvilluan në Greqinë lindore dhe Turqinë perëndimore, duke përdorur një sistem minimal parashikimi, me një nivel suksesi prej 90 %, transmeton “Blic”.

Nga 75 paralajmërime për tërmet që u lëshuan, 68 u konfirmuan nga Qendra Sizmologjike Mesdhetare Evropiane me një magnitudë mesatare prej 2.58 të shkallës Rihter.

Duke i parë këto rezultate, “Ionoterra” vlerëson një saktësi prej mbi 97 % parashikime, duke përdorur sistemin e plotë të monitorimit për tërmete mbi 4.5 të shkallës Rihter.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Pejës, nëpërmjet një komunikate bërë publike, u ka…