Ja 10 yjet që mund të mungojnë në ‘Euro 2024’
Erling Haland është një nga dhjetë superyjet e futbollit në rrezik për të humbur “Euro 2024”.
Kualifikueset për turneun në Gjermani vitin e ardhshëm janë pothuajse në fund, me disa kombëtare të mëdha që ende nuk e kanë prerë biletën e tyre. Shumë vende si Anglia, Spanja dhe Franca kanë vulosur tashmë biletat e tyre në Evropian.
Gjermanisë nuk i është dashur të kualifikohet pasi ajo është automatikisht e kualifikuar për shkak se është vendi pritës.
Megjithatë, vende të tilla si Suedia, Norvegjia dhe Kroacia ende po përpiqen të fitojnë biletën e tyre. Ato kanë ndeshje të rëndësishme kualifikuese në pushimin aktual ndërkombëtar. Por nëse rezultatet shkojnë kundër tyre, atëherë mund të mungojnë disa nga lojtarët më të mirë në botë në “Euro 2024”.
ERLING HALAND (NORVEGJI) – Haland mungoi në Kupën e Botës në Katar vitin e kaluar dhe përsëri po përballet me rrezikun e mungesës në një turne ndërkombëtar. Sulmuesi i Sitit fitoi trofeun “Gerd Myler” në ceremoninë e “Topit të Artë” pasi shënoi më shumë gola në Europë sezonin e kaluar. Norvegjezi ka vazhduar formën e tij pjellore këtë sezon dhe do të duhet të jetë në maksimum të lojës së tij për të dërguar Norvegjinë në “play-off”-et e “Euro 2024”, kur ata të përballen me Skocinë jashtë, në ndeshjen e tyre të fundit kualifikuese.
MARTIN ODEGARD (NORVEGJI) – Kapiteni i Arsenalit, ashtu si Haland, humbi Kupën e Botës pasi Norvegjia nuk arriti të kualifikohej. Odegard është bërë një nga lojtarët më të spikatur në Premier Ligë që nga transferimi i tij në “Emirates” nga Reali i Madridit. Ai dhe Haland duhet të mundin Skocinë për të mbajtur pas Gjeorgjinë, e cila ka një ndeshje më pak.
XHANLUIXHI DONARUMA (ITALI) – Italia, ashtu si Norvegjia, nuk arriti të shkonte në Kupën e Botës në Katar, pavarësisht se fitoi Europianin në 2021. Donaruma konsiderohet gjerësisht si një nga portierët më të mirë në botë, pasi ka luajtur tashmë për Milanin dhe PSG dhe është vetëm 24-vjeç. Portieri ishte heroi i Italisë në Europianin e fundit, pasi i ndihmoi ata të fitonin penallti kundër Anglisë në “Wembley”, por ata përballen me një “finale” të madhe kundër Ukrainës të hënën, që mund t’i bëjë të humbasin vendin e dytë.
DESTINI UDOGI (ITALI) – Udogi nuk ishte një pjesëtar i skuadrës italiane që fitoi Europianin, por është bërë një nga mbrojtësit më premtues të kontinentit. Asi i Totenhemit e ka forcuar pozicionin e tij në skuadrën e Ange Postekoglusë, pasi u kthye nga huazimi i tij te Udineze sezonin e kaluar. Megjithatë, ai do të duhet të shpresojë që bashkëlojtarët e tij të kombëtares të mund të mbyllin llogaritë pa të kundër Maqedonisë së Veriut dhe Ukrainës, pasi ai është i dëmtuar.
LUKA MODRIÇ (KROACI) – Modriç ka qenë i rregullt në turnetë ndërkombëtarë gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë. Ylli i Realit, 38 vjeç, megjithatë rrezikon të mos shkojë në “Euro 2024” me skuadrën e tij, aktualisht pas Uellsit në Grupin D.
JOSHKO GVARDIOL (KROACI) – Gvardiol ishte një tjetër pjesëtar i skuadrës së Kroacisë që befasoi në Katar pasi mundi Marokun, duke u renditur në vendin e tretë. Mbrojtësi mori shumë lavdërime për paraqitjet e tij dhe fitoi një transferim të madh te Mançester Siti gjatë verës. Gvardiol me shokë kanë ende një shans për të shkuar në Gjermani, por duhet të përballen së pari me Letoninë dhe Armeninë.
ALEKSANDER ISAK (SUEDI) – Aleksander Isak është bërë një nga sulmuesit më të fortë në Premier Ligë që nga transferimi i tij te Njukasëlli nga Real Sociedadi. Megjithatë ylli suedez dhe shokët e tij të skuadrës do të duhet të luftojnë në “play-off” për të arritur në turne. Por për të arritur deri këtu, ata do të duhet të fitojnë së pari kundër Azerbajxhanit dhe Estonisë.
DEJAN KULUSEVSKI (SUEDI) – Kulusevski ka qenë lojtar i rregullt për Totenhemin që kur iu bashkua londinezëve nga Juventusi. Sulmuesi anësori do të duhet të përmirësojë formën e tij për Suedinë për t’i ndihmuar ata të kualifikohen. Ai ka shënuar vetëm tre gola në 33 paraqitje për kombëtaren e tij.
ROBERT LEVANDOVSKI (POLONI) – Levandovski është një nga sulmuesit më të fortë në Europë që ka luajtur për Dortmundin, Bajernin dhe tani Barcelonën. Sulmuesi, 35 vjeç, nuk e ka arritur kurrë formën e tij më të mirë gjatë një turneu ndërkombëtar. Tani që ai po i afrohet fundit të karrierës së tij, polaku do provojë një përpjekje të fundit për të fituar diçka me kombëtaren.
EVAN FERGUSON (IRLANDË) – Nga një prej veteranëve të futbollit në një nga yjet e reja më premtues. Ferguson, 19 vjeç, është një nga sulmuesit më të vlerësuar në Premier Ligë për shkak të paraqitjeve të tij për Brajtonin. Shpresat e Irlandës për të arritur në “Euro 2024” varen nga “play-off”, por një fitore kundër Holandës do të rrisë shanset e tyre për të shkuar atje.