Ja çfarë deklaroi Challandesi pas humbjes nga Çekia
Bernard Challandes, trajneri i Kosovës, ka folur për Super Sport pas humbjes së Kosovës 2-1 nga Çekia dhe dështimit edhe matematikisht për t’u kualifikuar në “Euro 2020” nga Grupi A, ëndrra vazhdon përmes Ligës së Kombeve.
“Kemi parë një skuadër si Kosova që ka luftuar, mbrojtur, ishte mirë, por nuk luajtëm lojën tonë. Kemi luajtur kundër një skuadër shumë të fortë dhe duhet ta pranojmë se çekia ishte më e mirë sot dhe urime për kualifikimin”, u shpreh Challandes.
“Kam vetëm një gjë që më rri në kokë, nuk kemi bërë sa duhet rrezik në krijimin e aksioneve. Ju kam thënë lojtarëve luani, luani. Jemi të zhgënjyer me këtë rezultat jo të mirë dhe me një lojë jo të mirë, patëm mundësi të luajmë futboll, por nuk luajtëm”.
“Nuk e kuptoj se si skuadra nuk ka provuar të ndërtojë aksione, kjo nuk ishte loja jonë. Po skuadra e Çekisë ishte shtynte përpara, bënte presion, por ne gjithmonë duhet të provojmë, në pjesën e parë nuk arritëm të luajmë”.
“Urime skuadrës, jo për sonte, por kjo kampanjë ka qenë shumë shumë e mirë dhe dua t’i them gjithë lojtarëve, faleminderit për gjithçka, Kosova duhet të jetë krenare, jo për këtë rezultat sonte, por për këtë skuadër”.
“Patëm disa lëndime, duhet ta dimë këtë, është e qartë, s’kemi shumë lojtarë që mund t’i zëvendësojmë të tjerët, por duhet t’i përgëzojmë të gjithë, që kanë dhënë më të mirën”.