Ja çfarë dihet për vrasjen që ndodhi mbrëmë në Vushtrri

24 mars 2025 | 08:15

Një vrasje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në Vushtrri. Një i ri ka mbetur i vdekur, ndërsa një tjetër u arrestua për këtë akt.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar B. D., 19-vjeçar, i dyshuar për vrasjen e A. Z., 19-vjeçar, në mbrëmjen e së dielës në Vushtrri.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka bërë të ditur se në shtëpinë e të dyshuarit është realizuar bastisje ku është gjetur edhe një armë e gjatë me pesë fishekë.

“Nga hetimet e kryera në vendin e ngjarjes dhe ekzaminimet e kryera, hetuesit policor si prova materiale kanë gjetur dhe sekuestruar tri (3)gëzhoja. Hetuesit policorë kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin B. D., 19 vjeçar nga i cili është konfiskuar një armë pistoletë që dyshohet të jetë përdorur nga i dyshuari në kryerjen e veprës penale. Në shtëpinë e të dyshuarit është realizuar bastisje ku është gjetur dhe konfiskuar edhe një armë e gjatë me pesë (5) fishekë”, ka deklaruar Zahiti.

Zahiti ka thënë se rasti i rëndë ka ndodhur rreth orës 20:35 minuta.

“Rreth orës 20:35 min policia ka pranuar informatën për të shtëna nga arma e zjarrit. Ngjarja ka ndodhur në rrugën ‘Galip Badivuku’ në Vushtrri. Nga hetimet fillestare bëhet me dije se si pasojë e plagëve të pësuara nga arma e zjarrit, ka humbur jetën viktima mashkull/kosovar rreth 19-vjeçar”, ka thënë Zahiti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
27 vjet më parë Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Gllogjan…