Ja çfarë thotë Osmani për pragun e moshës nga 16 vjeç për mbajtjen e shamisë

15 gusht 2022 | 13:14

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë qëndrimin e saj lidhur me atë se a duhet vajzat nën moshën 16-vjeçare të mbajnë shaminë në institucione shkollore.

Sipas saj, Kushtetuta e Kosovës e ka përcaktuar një parim themelor që është  fundamental mbi të cilin edhe është ndërtuar sistemi juridiko-kushtetues dhe ai është parimi i laicitetit.

Sa i përket propozimit që mosha të zbresë tek 16 vjet, Osmani ka theksuar se “në qoftë se kjo çështje lidhet me të drejtën e votës atëherë do të kërkojë ndryshim të Kushtetutës, sepse siç e dini, ky prag është përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

“Në radhë të parë më lejoni të potencoj që Kushtetuta e Republikës së Kosovës duhet të jetë, vazhdon të jetë orientim parësor i institucioneve të Republikës së Kosovës për çdo çështje që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Kjo kushtetutë ka përcaktuar një parim themelor që është parim fundamental mbi të cilin edhe është ndërtuar sistemi ynë juridiko-kushtetues dhe ai është parimi i laicitetit. Prandaj është tejet me rëndësi që në institucionet e Republikës së Kosovës të respektohet ky parim”.

“Çështja e dytë që e ka përcaktuar qartë kjo kushtetutë është detyrimi i të gjitha institucioneve publike të Republikës së Kosovës që të respektojnë vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si standarde nëpërmjet të cilave zgjidhet çdo çështje që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat e njeriut. Kurse çështja e tretë që dua ta potencoj është fakti që për dallim nga shumë kushtetuta anekënd botës që nuk ia lejojnë individit të drejtën që ta dërgojë një çështje të lirive dhe të drejtave të njeriut në Gjykatën Kushtetuese, tek ne ekziston kjo mundësi”, ka thënë Osmani, duke shtuar se kushdo që mendon se janë duke iu cenuar të drejtat mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Prandaj në qoftë se dikush mendon se po i cenohet ndonjë e drejtë, ekzistojnë rrugët ligjore, administrative e kushtetuese që ta adresojnë këtë çështje në të gjitha këto instanca deri tek Gjykata Kushtetuese. Si presidente e vendit do të vazhdojë të kërkojë që të respektohen parimet mbi të cilat është ndërtuar jo vetëm Kushtetuta jonë, por edhe shoqëria jonë si shoqëri progresiste, si shoqëri që i shikon parimet dhe vlerat euroatlantike si fundamentale”.

“Sa i përket propozimit që mosha të zbresë tek 16 vjet, në qoftë se kjo çështje lidhet me të drejtën e votës atëherë do të kërkoj ndryshim të Kushtetutës, sepse siç e dini, ky prag është përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Por çdo ndryshim legjislativ kushtetues përfundimisht do të jetë vullnet i deputetëve të Republikës së Kosovës dhe unë asnjëherë deri më tani nuk e kam imponuar vullnetin tim mbi deputetët, por siç e thashë është shumë me rëndësi që ky bazament kushtetues i Republikës sonë të respektohet”, ka thënë Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në konferencë për medie ka…