Ja çfarë u bisedua në takimin Mustafa-Kurti
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Besnik Bislimi, ka bërë me dije së në takimin në mes të kryetarit të kësaj lëvizje, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa, është diskutuar për mundësinë e një koalicioni parazgjedhor ndërmjet këtyre dy partive.
“Temë kryesore e bisedimeve ishte diskutimi i mundësive për krijimin e një koalicioni parazgjedhor i cili përfundimisht do të kthente shpresën tek qytetarët për një ndryshim thelbësor të modelit qeverisës në vend”, ka shkruar Bsilimi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Bislimit:
Para pak orësh, bashkë më kryetarin e Lëvizjes VETËVENDOSJE, Albin Kurtin dhe shefin e grupit parlamentar, z. Glauk Konjufca, ishim në një takim të kërkuar nga kryetari i LDK-së, z. Isa Mustafa, e në të cilin ishin prezent edhe znj. Vjosa Osmani dhe z. Lutfi Haziri. Temë kryesore e bisedimeve ishte diskutimi i mundësive për krijimin e një koalicioni parazgjedhor i cili përfundimisht do të kthente shpresën tek qytetarët për një ndryshim thelbësor të modelit qeverisës në vend. U dakorduam që qeveria në ardhje si prioritet kryesor duhet të ketë çkapjen e shtetit nga Klani Pronto duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. E gjithë kjo si parakusht për fokusim në politika që krijojnë vende pune dhe rrisin mirëqenien.
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbi 10 muaj që ka dërguar një propozim konkret tek z. Mustafa për modalitetet e ndërtimit të qeverisjes së ardhshme si dhe prioritetet kyçe, dhe mund të themi që nga ajo ditë nuk ka ndryshuar as edhe një germë nga kjo. Kjo vlen edhe për bindjen tonë që ky opsion do të krijonte sinergjinë e duhur duke e vendosur në krye të saj Albin Kurtin, me mundësi të dakordimit për një periudhë prej dy mandateve dhe rotacion. E shoh si shumë të rëndësishëm faktin që si nga Lëvizja VETËVENDOSJE! ashtu edhe nga LDK u zotuam se në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë nuk do ketë takime me cilindo nga subjektet tjera pjesëmarrëse në zgjedhje. Si LVV ashtu edhe për LDK ka vetëm një partner strategjik për ndërtimin e qeverisë së ardhshme. Na mbeten edhe tri ditë për të arritur marrëveshjen aq të pritur nga shumica dërrmuese e qytetarëve të vendit.
/Epoka e re/