Ja çka thuhet në preambulën e re të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut
Parlamenti i Maqedonisë, miratoi ndryshimet kushtetuese që mundësojnë ndryshimin e emrit të saj në Maqedonia e Veriut, sipas marrëveshjes me Greqinë.
Tetëdhjetë e një deputetë në parlamentin e Maqedonisë, votuan për ndryshimet kushtetuese, duke miratuar së pari veç e veç katër amendamentet që kanë të bëjnë me ndryshimin e emrit, me preambulën, me shtetësinë, kujdesin e shtetit për diasporën dhe më pas ligjin kushtetues ose paketën e ndryshimeve kushtetuese. Deputetët e partisë opozitare VMRO-DPMNE, që kundërshtojnë marrëveshjen, bojkotuan votimin.
Shumica parlamentare arriti dy të tretat e nevojshme të votave pas një marrëveshjeje në orët e pasdites mes kryeministrit Zoran Zaev dhe drejtuesve të krahut opozitar të Lëvizjes Besa, dy ligjënësit e së cilës patën një rol kyç në plotësimin e shumicës së nevojshme për këto ndryshime.
Kryeministri Zaev dhe partia shqiptare ranë dakord që në kushtetutën e re, në përcaktimin e termit të shtetësisë do të përdoren dy emërtime “maqedonase dhe qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Për shqiptarët do të ketë një sqarim për përkatësinë e tyre etnike. Po ashtu letërnjoftimet personale do të përfshijnë edhe deklarimin e shtetasve sipas përkatësisë së tyre etnike.
Në preambulën e re të Kushtetutës thuhet, mes tjerash:
“Qytetarët е Republikës së Maqedonisë, populli maqedon, pjesa e popullit shqiptar, pjesa e popullit turk, e popullit vlleh, popullit serb… duke marrë përsipër përgjegjësinë për të tashmen dhe të ardhmen e atdheut të tyre…”; Nga këtu është hequr referenca “si dhe pjesëtarët e komuniteteve të cilët jetojnë brenda kufijve të saj e që janë pjesë e popullit…”, përcjell “Zëri i Amerikës”.
Zaev gjatë mbrojtjes së amendamenteve në parlament, shprehu mirënjohjen për ata deputetë të opozitës të cilët përmes votës së tyre e ndihmuan procesin. Ndërkaq, ligjvënësja Elizabeta Kançevska Milevska nga grupi i tetëshes së përjashtuar prej VMRO_DPMNE-së i hodhi poshtë akuzat dhe ofendimet nga krerët e kësaj partie se “tetë deputetët ishin tradhtarë”, ndërsa pyeti nga foltorja kryetarin e VMRO-së Hristijan Mickovski se cilat ishin alternativat e tij, duke lënë të kuptohet nga ana tjetër se edhe ish-partia e saj në të kaluarën favorizonte një propozim identik për ndryshimin e emrit.