Ja dëshmitë e kalimtarëve që panë vdekjen me sy në Londër
Punëtorë, turistë, e kalimtarë të rastit, që panë me sy tmerrin e sulmit terrorist në Londër kanë dëshmuar për mediet britanike frikën dhe panikun që i mbërtheu teksa u gjendën në vendin e gabuar.
Kujtojmë që dje një person plagosi me thikë pesë persona, dy prej të cilëve humbën jetën, dhe më pas agresori u qëllua për vdekje nga policia, ndërkohë që turma në vendngjarje u shpërnda e lemerisur për t’i shpëtuar kthetrave të vdekjes.
Një dëshmitar i tmerruar, 58-vjeçari Clive James, tha se “pa një grua që ishte mbuluar në gjak në fytyrë dhe qafë”, që u zhvendos drejt ambulancës nga uniformat blu fill pas sulmit, raporton “Daily Mail”. Një tjetër dëshmitar, Jackie Benfield, dëshmon se dëgjoi “pesë ose gjashtë të shtëna ndërsa ndodhej në një autobus që po kalonte përgjatë London Bridge.
Një infermiere 32-vjeçare që ishte duke u kthyer nga puna në shtëpi, shprehet se iu përgjërua shoferit të autobusit që të dilte nga mjeti dhe ia mbathi si dreqi për t’u shpëtuar të shtënave. “Vrapova aq shpejt sa munda”, ka thënë ajo, duke shtuar se: “nuk ishte aspak ndjesi e mirë të dëgjojë krisma dhe të vrapoje. Ndodhesha në autobus dhe kishte kaq shumë trafik, por e mbaj mend që ndalova. Mandej pashë oficerë policie dhe njerëz që vraponin përgjatë urës. Thashë: ‘Ju lutem më lini të dal, më lini të dal. Mandej vrapova sa mund. ‘Pop pop pop”, kështu tingëllonte. Fatkeqësisht tanimë e njoh tingullin e krismave”.