BE-ja: Ekspertët e filluan punën për ‘luftimin’ e lajmeve të rrejshme
Grupi i ekspertëve i nivelit të lartë i Komisionit Evropian për ‘luftimin’ e lajmeve të rrejshme, është takuar të hënën për të parën herë në Bruksel.
Grupi synon dhënie të kontributit për zhvillimin e një strategjie në nivel të Bashkimit Evropian, e cila do të paraqitet në fund të muajit prill të këtij viti me shpjegimin “se si të veprohet me këtë fenomen, duke i definuar rolet dhe përgjegjësitë e pjesëmarrësve relevant dhe formulimin e rekomandimeve”.
Komisionarja evropiane për ekonominë digjitale, Mariya Gabriel, e ka lansuar thirrjen për konkurrim në këtë grup, në nëntor të vitit 2017 dhe i ka zgjedhur 40 vetë prej 300 kandidatëve.
Duke folur pas takimit të parë, Gabriel ka theksuar se lajmet e rrejshme “mund të mos jenë ilegale” ose të reja, por po përhapen “me shkallë shqetësuese” dhe e kërcënojnë reputacionin e mediave dhe mirëqenien e demokracive, potencialisht duke i shkatërruar “vlerat demokratike”.
Ky grup kryesohet nga Madeleine De Cock Buning, profesoreshë në Universitetin Utreht në Holandë, e cila është e specializuar për pasurinë intelektuale, të drejtat e autorit dhe legjislacionin për media.
Në grup, po ashtu, përfshihen edhe përfaqësues të mediave, siç janë “AFP” dhe “ARD” dhe firmat në internet, si “Facebook”, “Google” dhe “Twitter”.