Ja emrat e sportistëve që e përfaqësojnë Kosovën në ‘Minsk 2019’
Komiteti Olimpik i Kosovës ka bërë publike listën prej 12 sportistëve, të cilët do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat e dyta Evropiane “Minsk 2019”, të cilat mbahen prej 21-30 qershor 2019 në kryeqytetin e Bjellorusisë.
Listës i prinë kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi, e cila për herë të parë do të garojë në Lojërat Evropiane, pasi në “Baku 2015” ishte e lënduar. Sporti i Majlindës, xhudoja, prinë me numrin më të madh të sportistëve, gjithsej pesë, të gjithë të kualifikuar me normë. Nora Gjakova (kategoria -57 kilogramë), kampione e tanishme e Evropës, si dhe sportistja e vetme me medalje në Lojërat Evropiane, do të synojë të pushtojë podiumin edhe në Minsk. Tre xhudistët tjerë janë, Distria Krasniqi (-48 kg), medaliste e argjendtë në kampionatin evropian, Akil Gjakova (-73 kg), kampion i Evropës për U-23 dhe Loriana Kuka, kampione e Evropës për U-23 (-78 kg). Lojërat Evropiane në sportin e xhudos shërbejnë edhe si Kampionat Evropian.
Të njëjtën vlerë e kanë edhe për sportin e boksit, të cilët përfaqësohen me katër sportistë. Kampionia e Evropës për vitin 2016, grupmosha juniore, Donjeta Sadiku, si dhe tre boksierët me të ardhme të ndritur: Shpëtim Bajoku, Patriot Behrami dhe Ardit Delijaj, do të përfaqësojnë sportin e boksit. Alvin Karaqi, i cili po e ndjek normën Olimpike “Tokio 2020”, përfaqëson sportin e karatesë. Shigjetaria përfaqësohet me Ardita Zejnullahun, ndërsa listën e kompleton Fatih Karabaxhaku nga pingpongu. Kosova deri më tani ka një medalje të bronztë në Lojërat Evropiane, të fituar nga Nora Gjakova në Baku 2015.
Në “Minsk 2019”, Komiteti Olimpik i Kosovës shpreson që sportistët të ngjiten sa më shpesh në podium. Ekipi i Kosovës udhëton drejt Minskut prej 18-20 qershor.
Lista e sportistëve
Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Akil Gjakova (xhudo), Alvin Karaqi (karate), Fatih Karabaxhaku (pingpong), Ardita Zejnullahu (shigjetari), Donjeta Sadiku, Shpëtim Bajoku, Patriot Behrami, Ardit Delijaj (boks).