BE-ja: Kosova po bën reforma përmbajtësore në administratën publike
Progresi në administratën publike në Kosovë është diskutuar në takimin e Grupit të veçantë për Reformë të Administratës Publike (RAP) në Prishtinë, i cili është mbajtur më 26 prill të këtij viti.
Siç ka njoftuar Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë (BE), vendi ynë është duke zhvilluar reforma përmbajtësore të administratës publike, nën udhëheqjen e Ministrisë së Administratës Publike (MAP) dhe Zyrës së Kryeministrit.
“Komisioni Evropian (KE) ka mirëpritur paketën e planifikuar legjislative të ligjeve, që përfshin ligjet mbi zyrtarët publikë, ligjin për pagat dhe ligjin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura. Komisioni gjithashtu mirëpret faktin se kjo paketë po përgatitet në një mënyrë të koordinuar, ashtu siç është zotuar Kosova se do të veprojë në dialogun e politikave për reformën e administratës publike të ngritur në kuadër të MSA-së”, është thënë në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Më tutje në këtë njoftim, është thënë se BE-ja mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën në reformimin e administratës publike.
“Për këtë arsye, BE-ja dhe Kosova kanë lidhur një kontratë për reformë sektoriale për reformë të administratës Publike, e cila parashikon një ndihmë financiare prej 25 milionë euro për Kosovën deri në vitin 2021. Kjo ndihmë është e ndarë në katër pagesa me një shumë maksimale prej 22 milionë euro në Buxhetin e Kosovës, dhe 3 milionë euro asistencë teknike. Pagesat në buxhet janë të kushtëzuara me përparim në reforma dhe në përmbushjen e synimeve që janë rënë dakord reciprokisht. Një pagesë prej 5.5 milionë euro është planifikuar për disbursim në vitin 2018, nëse Kosova plotëson kushtet e përcaktuara në kontratë. Këto kushte kanë të bëjnë me përparimin e bërë në zbatimin e reformave të administratës publike dhe menaxhimit të financave publike, në zbatimin e politikave makroekonomike të orientuara drejt stabilitetit dhe në rritjen e transparencës së buxhetit”, është thënë në këtë njoftim.
Krejt në fund, sipas këtij njoftimi, reforma në administratën publike synon të mbulojë këto fusha: politikën dhe zhvillimin legjislativ gjithëpërfshirës dhe të bazuar në fakte, përmirësimin e qasjes publike në dokumente, përmirësimin e profesionalizmit dhe menaxhimit të burimeve njerëzore, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset, zvogëlimin e barrës administrative për qytetarët dhe bizneset, përmirësimin e planifikimit të politikave, administratën shtetërore më racionale dhe llogaridhënëse, dhe qasjen e përmirësuar në drejtësinë administrative.
/Epoka e re/