Ja kush do ta ushtrojë detyrën shefit të Shërbimit Sekret të SHBA-së
10 ditë pas atentatit ndaj Donald Trump, ka dhënë dorëheqjen drejtoresha e Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kimberly Cheatle, pasi ish-presidenti nxori në pah dështime të shumta në reagimin e agjencisë ndaj autorit të sulmit.
Zonja Cheatle e bëri të ditur largimin nga detyra përmes një mesazhi dërguar punonjësve.
Pas përpjekjes për vrasjen e ish-presidentit Donald Trump pati reagime në rritje ndaj dështimit të agjencisë e cila siguron mbrojtjen e presidentëve dhe ish-presidentëve.
Zonja Cheatle, e cila shërbente në detyrën e drejtores së Shërbimit Sekret që nga gushti 2022, u përball me thirrje në rritje për të dhënë dorëheqjen, si dhe disa procese hetimore për rrethanat se si autori i atentatit arriti t’i afrohej kaq shumë kandidatit republikan për president në një tubim elektoral në Pensilvani.
“Marr përgjegjësinë e plotë për dështimet e sigurisë”, tha ajo në email-in drejtuar personelit të martën. “Në dritën e ngjarjeve të fundit, me zemër të rënduar kam marrë vendimin e vështirë për të dhënë dorëheqjen si drejtorja juaj”.
Dorëheqja e zonjës Cheatle vjen një ditë pasi ajo u paraqit përpara një komisioni të Kongresit dhe u kritikua me orë të tëra nga ligjvënës demokratë dhe republikanë për dështimet e sigurisë. Ajo e quajti përpjekjen për ta vrarë ish-presidentin Trump “dështimin më të rëndësishëm operacional” të Shërbimit Sekret në dekada dhe tha se merr përgjegjësinë e plotë për gabimet e sigurisë. Ajo megjithatë shkaktoi zemëratën e ligjvënësve duke mos iu përgjigjur pyetjeve konkrete në lidhje me hetimin.
Nëpërmjet një deklarate, presidenti Joe Biden u shpreh se “të gjithë e dimë se ajo që ndodhi atë ditë, nuk mund të ndodhë kurrë më” dhe njoftoi se do të emërojë së shpejti një drejtues të ri për Shërbimin Sekret, por nuk dha detaje se kur do të bëhet ky emërim. Presidenti gjithashtu falenderoi zonjën Cheatle për punën e saj prej dekadash në shërbim të publikut amerikan.
Sekretari i Sigurisë Alejandro Mayorkas njoftoi se ka emëruar si drejtor të përkohshëm zëvendës drejtorin Ronald Rowe.
Zoti Rowe ka punuar në Shërbimin Sekret prej 24 vitesh.
Në seancën dëgjimore të hënën, zonja Cheatle vazhdoi në mënyrë sfiduese të deklarojë se ajo ishte “personi i duhur” për të udhëhequr Shërbimin Sekret, edhe pse tha se mbante përgjegjësi të plotë për dështimet e sigurisë. Kur ligjvënësja republikane Nancy Mace i sugjeroi zonjës Cheatle të fillonte të hartonte letrën e saj të dorëheqjes, zonja Cheatle iu përgjigj: “Jo, faleminderit”./ VOA