Ja për çfarë bisedoi Thaçi me kryeministrin bullgar
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka informuar kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov, për përpjekjet e institucioneve që ta ndriçojnë sa më shpejtë vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe për përkushtimin e Kosovës për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Sapo zhvillova një bisedë telefonike me kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov, shtet ky që e kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian në këtë vit. Kryeministrin bullgar e informova për përpjekjet e institucioneve që ta ndriçojnë sa më shpejtë vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe për përkushtimin e Kosovës për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian nuk ka alternativë dhe është parakusht për paqe e stabilitet në rajonin tonë. Po ashtu, nga shteti bullgar kërkova mbështetje edhe për procesin e integrimeve euroatlantike të Kosovës dhe tërë Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.