Ja për çfarë biseduan Rama e zyrtari i lartë amerikan
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është takuar të hënën me zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit, Matthew Palmer.
Gazetari i “Top Channel”, Muhamed Veliu, duke iu referuar një burimi të pranishëm në atë takim, ka raportuar se “në takimin që ka zgjatur rreth 100 minuta mësohet se vetëm pak kohë i është kushtuar situatës politike në vendin tonë”.
I njëjti burim i ka thënë “Top Channel” se, zyrtari i lartë amerikan është ndalur gjatë në rëndësinë që ka për të ardhmen e Shqipërisë çelja e negociatave me Bashkimin Europian, si dhe rolin strategjik që Shqipëria luan në NATO.
Pjesë e bisedës Rama-Palmer ka qenë edhe dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ndonëse tema e aktualitetit politik në Shqipëri nuk ka marrë pjesën kryesore të vëmendjes, mësohet se zyrtari amerikan ka shprehur interes për ecurinë e reformes zgjedhore, ndërkohë që ka përsëritur mesazhin e dhënë edhe më parë nga Uashingtoni dhe Brukseli, se nuk ka asnjë arsye për të vënë në diskutim legjitimitetin e Parlamentit dhe të qeverisë.
Ditën e nesërme, Palmeri do të takohet me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, dhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, përfshirë edhe presidentin Ilir Meta.