Ja për çfarë ishin betuar Adem e Hamëz Jashari te varri i Tahir Mehës
Dëshmorët Tahir e Nebih Meha nga Prekazi i Drenicës më 13 maj të vitit 1981 kishin rënë heroikisht në përballje me forcat policore serbe, pikërisht në “Ditën e Milicisë”.
Në nderim të jetës dhe veprës së tyre patriotike e kombëtare ata janë përkujtuar sot në 38-vjetorin e rënies së tyre.
Në një akademi përkujtimore të organizuar nga kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, janë evokuar kujtime në lidhje me dëshmorët Meha.
Kryetari Jashari i cili është edhe djali i heroit Hamëz Jasharit, vëllait të komandantit legjendar, Adem Jashari, ka shpalosur një detaj se çfarë kishte ndodhur në ditën e varrimit të Tahir e Nebih Mehës.
Ai ka thënë se Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari, ishin betuar te varri i Tahir e Nebih Mehës se do ta çojnë deri në fund amanetin e tyre.
“Ata ranë në fushën e nderit, dhe askush nga bashkëfshatarët e tyre, madje as burrat e familjes Jashari nuk arritën t’u dalin në ndihmë nga rrethimi i çeliktë me tanke dhe autoblinda të shumta. Por, në ditën e varrimit të Tahir e Nebih Mehës u bë një betim. Shaban Jashari me dy djemtë e tij, Ademin e Hamzën, tashmë ishin zotuar se krismat e pushkës nuk do të ndalen deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës nga okupatori serb”, ka thënë kryetari Jashari gjatë akademisë përkujtimore kushtuar Tahir e Nebih Mehës.
/Epoka e re/