Ja pse Nait Hasani nuk lejoi që Albin Kurti të lirohet natën nga burgu i Nishit

06 korrik 2021 | 18:41

Rrëfime nga i burgosuri dhe i mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës, Nait Hasani

Pas bisedës me bacën Adem diskutuam me Albinin për atë që na tha si dhe për gjendjen në Kosovë. Kujtonim ato që ai kishte kaluar në burgje. Kujtonim dhe tregonte Albini për bacën dhe angazhimin e tij si përfaqësim politik i UÇK-së në Prishtinë.

Tregonte guximin e tij, gatishmërinë deri në flijim për Kosovë e atdhe dhe për kauzën shqiptare. Të gjitha këto për mua që isha në burg ishin një ngjarje interesante dhe vërtet dinjitoze, ashtu siç kishim mësuar për bacën që ishte përfaqësues politik në kohë lufte, në qendër të Prishtinës, që bënte përfaqësimin e drejtë të luftës sonë për liri, para faktorit ndërkombëtar dhe policisë e ushtrisë serbe në kryeqytet. Albini tregonte për përfaqësimin dinjitoz të bacës Adem dhe mbrojtjen e kauzës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para çdo kujt si qëllim final që kishte lirinë dhe çlirimin tonë kombëtar.

Në këtë bashkëbisedim me Albinin për bacën Adem, ra zilja dhe erdhi koha të binim për të fjetur. Ramë për të fjetur dhe duke kujtuar ato që kisha folur në telefon me bacën Adem, që duhet me u përgatitë me lexime, me libra të ndryshme, sepse do i duhemi vendit dhe duhet ta ndërtojmë vendin tonë. Mu kujtua një rast me bacën Adem në gazetën e tij “Forumi” që e nxirrte në vitet e ’90-ta. Aty merreshin me shkrime dhe shkruanin intelektualë të ndryshëm tanë, për tema të ndryshme të zgjidhjes së çështjes së Kosovës me koncepte të ndryshme nga ato që ishin në Kosovë që përfaqësohej nga lëvizjet demokratike. Por, në këtë kohë bëhej një gjykim politik në gjykatën e qarkut në Prishtinë, i grupit të Xhavit Hazirit, një nga drejtuesit politik dhe ish i burgosur politik me shokët e tij në këtë gjykatë. Unë kisha qëndruar me Xhavitin, Bajrushin, Hajredinin, Raif Qelën e të tjerë në këtë gjykatë që policia serbe i kishte vë në bankën e të akuzuarve për dënimin e këtij grupi.

Mua më duhej të përcillja këtë gjykim dhe më duhej të hyja në gjykatë për ta përcjellë gjyqin. Si mundësi ishte baca Adem me gazetën e tij “Forumi”. Unë duhej të merrja akreditimin e tij si gazetar dhe të hyja në gjyq për ta përcjellë gjykimin. Shkova në mbrëmje të shtëpia e bacës Adem dhe i thash: kam ardhur tek ti për të marrë një dokument që jam gazetar i gazetës “Forumi” për të përcjellë gjykimin. Është gjykim i rëndësishëm për Lëvizjen që me u informuar se si kanë rrjedhë gjërat gjatë gjykimit. Baca Adem më dha akreditimin dhe unë u bëra gazetar. Të nesërmen kur fillojë gjykimi si gazetar i “Forumit” paraqitem të dera në gjykatë. Policët na kërkojnë dokumentet dhe unë pa hezitim ia tregoj akreditimin. Policët pasi e shikojnë dokumentin tim zyrtar më lejojnë të hyjë brenda më shumë gazetar të tjerë.

Aty pas pak i sjellin të burgosurit, shokët e mi që kishim qenë bashkë më herët nëpër burgje. Kur me shohim Xhaviti, Bajrushi, “Dini”, Raifi, etj., mbesin pa “tekst”, mendojnë që edhe unë jam arrestuar. Pasi fillon gjykimi unë i përcjelli me kujdes ato që u thoshin aty si dhe me një kujdes të veçantë për Lëvizjen Popullore. Aty shohë dy rryma politike nga dy grupe. Aty shoh Lëvizjen Popullore të Kosovës dhe LKÇK-në. Konceptin e Lëvizjes që me çdo çmim, por dhe me luftë të armatosur me çliruar Kosovën nga pushtimi i Serbisë dhe të tjerët deklaronin që duhet përgatitur populli dhe kur të krijohen kushtet, duhet edhe të luftohet, nëse duhet. Dhe, kështu duke kujtuar e debatuar me bacën në distancë me kishte zënë gjumi.

Në mëngjes zgjohemi, pasi ra zilja. I kryejmë detyrat e mëngjesit, marrim mëngjesin dhe fillojmë leximin deri në kohën e shëtitjes. Lexojmë Frojdin dhe analizat e psikoanalizat e tij, nocione të ndryshme mbi shoqërinë, pjesë të cilave kishim mësuar edhe nëpër shkolla. Interesante ishin mendimet e Frojdit që shpjegonin zhvillimet e shoqërisë. Analiza interesante në shpjegimet e shoqërisë duke shpjeguar ëndrrat dhe dëshirat e individëve. Unin e tyre dhe shpërthimin e tyre në koncepte të ndryshme.

Hapet dera dhe koha e shëtitjes, si dje dhe sot marrim topat dhe dalim për të luajtur me top që të marrim kondicion. Luajmë basket edhe pse unë nuk dija të luaja sepse futbollin e luaja më mirë. Por për kohën e burgut të dyja ishin të mira për të ruajtur shëndetin e kondicionin fizik.

Pas kryerjes se kohës se shëtitjes kthemi në dhomë. Fillon përsëri rutina. Por, sot kishim rendin e pastrimit në banjo. Larja e të burgosurve bëhej me dhoma, ku dhoma jonë e kishte radhën. Na kishin caktuar kohen dhe ne duhej të përgatiteshim. Dhe, në këtë kohë dimri ishte shumë ftohtë dhe terrohej shumë herët dhe kishte mjegull, ku dritat e shpërndanin më shumë atë. Ishte buzëmbrëmje, ku sa kishte filluar të errësohej dhe nuk dukej larg nga dritaret. Morëm peshqirët me vete dhe rrobat që kishim për t’i ndërruar. Shkuam grup dhoma jonë në banjo. Sapo hymë në banjo gardiani e lëshoi ujin e ne nen avullin e ujit të vakët dhe duke u fërkuar, gardiani bërtet nga jashtë: “Kurti dil jashtë”. Albini del jashtë, gardiani foli më të në serbisht, pastaj hyri brenda në banjo dhe me afrohet i shqetësuar. Me thotë, aty në banjo, gardiani me tha, ka ardhur vendimi se më kanë liruar. Thotë duhet t’i bënte teshat gati dhe me dal. Thotë çfarë  të bëjë? I them të lahemi dhe dalim e bisedojmë në dhomë. Si me shpejtësi pastrohemi dhe vishemi e dalim nga banjoja e shkojmë në dhomë. Ishte i shqetësuar, kishte të drejtë dhe i them se çdo kundërshtim nuk ka efekt. Këtë e kisha nga përvoja nëpër burgje. Por duhet ta menaxhojmë, të bisedojmë me drejtorin. Ju tregojmë edhe të tjerëve se ka një vendim me liruar Albinin sot. Së bashku me Isakun e Naimin, Vehbiun dhe të tjerë diskutojmë dhe nuk pajtohemi me liruar në këtë formë, pa pasur një garanci. Ne nuk pajtohemi me liruar në mbrëmje, pse në mbrëmje me u liruar kur ka mundësi ditën?

Kush do ta merr nga burgu për ta dërguar në Kosovë. Ne nuk dinim a ka ardhur kush me marrë, ne ishim brenda mureve, ishte natë, ishte terr, asgjë nuk shihje jashtë, as nuk kishim njoftime nga Prishtina. Bisedonim dhe i them se në nuk të lejojmë me dalë pa pasur garanci. Dhe, kundërshtimi jonë duhet të merret si shqetësim për drejtorin e burgut. Sepse ne kishim përvojë të keqe në lirimet e tilla. Kishim përvojën e lirimit të profesor Ukshin Hotit nga burgu i Dubravës dhe askush me nuk dinte gjë për të se ku ndodhet. Në mbrëmje nuk ishte praktik lirimi i askujt. Ditën liroheshin të burgosur. Por ne mund të rezistonim dhe duhej të rezistonim sepse kishim frikë nga më e keqja. Nga shteti serb pritej çdo gjë sepse për qëllime të veta nuk kursente asgjë dhe duhej pasur kujdes.

Ne kundërshtuam gardianët. U bë situatë shumë e ndjeshme. Hymë në negocime me gardianët dhe mbikëqyrësin e burgut. Nuk e lëmë me dalë pa garanci, duam garanci se kush e merr dhe duam ta përcjellim deri të porta e të shohim se kush po e merr për ta dërguar në Kosovë. Ata thoshin Kryqi i Kuq.

Ne nuk besonim në fjalët e tyre. Ata këmbëngulnin në të tyren, ne kundërshtonim. Ne u organizuam në mbrojtje dhe mosdorëzim pa shkuar edhe ne deri të Kryqi i Kuq. Në këto negocime nga mbikëqyrësi na u tha që dy veta mund të vijnë me të deri të porta, ku e merr Kryqi i Kuq, për të parë e hequr dyshimet tona. Unë dhe Isak Hoti së bashku me Albinin i cili i morri teshat u përshëndet me të burgosurit dhe dolëm nga dera e hekurt e katit tonë dhe shkuam deri të porta bashkë dy gardianë dhe ne tre. Të porta e hapen derën, aty erdhën të Kryqit të Kuq, pra në dhomën e hyrjes.

U siguruam që janë të Kryqit të Kuq. Pastaj ne u përshëndetem me Albinin, i uruam shëndet dhe rrugë të mbarë. Ai kur u përshëndet me mua mbet si i mpirë nga dhimbja e ndarjes, dhe duke shikuar prapa nga ne duke shprehur dhembjen, mendonte se “unë po dalë, por juve ku po ju lë”. Ne, pasi e morri Kryqi i Kuq Albinin, ia bëmë me dorë në shenjë përshëndetje përtej hekurave të portës. Mua dhe Isakun gardianët na kthyen në dhomë. Na kthyen me nervoz, na kthyen duke na mëshuar dhe grahur si kafshë. U vinte inat nga rezistenca jonë.

Nga qëndrimi jonë që nuk e lamë vet Albinin me marre e me bërë çka të duan ata me të. Ata na sillnin me shkopinj gome e me grushte, por të gjitha këto grushte e shkopinj gome ishin të përballueshëm e të durueshëm për ne, sepse ne u siguruam se shoku ynë i burgosur Albin Kurti ishte në dorë të Kryqit të Kuq. Koncepti i të burgosurve është solidariteti ndaj njëri-tjetrit. Ne këtë solidaritet për të mbrojtur një të burgosur e në këtë rast, rasti jonë për ta mbrojtur Albinin i tmerronte gardianët. Ne ishim të kënaqur që ia arritëm qëllimit, pasi Albini u lirua pas garancisë që morëm.

Pas daljes se Albinit dhe marrjes nga Kryqi i Kuq sikur u qetësuam, pavarësisht dhunës që ushtruan ndaj nesh gjatë rrugës për në dhomë.

Sapo doli ai dhe e përcollëm deri tek dera, kur u kthyem bëmë thirrje me telefon që nga burgu është liruar Albini dhe e ka marrë Kryqi i Kuq. Tashmë dhe në Prishtinë e dinë që Albin Kurti është liruar nga burgjet serbe më 7 dhjetor 2001, në mbrëmje nga burgu i Nishit

Lirimi i Albinit sikur i qetësoi dhe ju dha vullnet të duronin e qëndronin se dikush atje në Kosovë po kujdeset për lirimin e të burgosurve nga burgjet e Serbisë. Ai që po kujdesej për lirimin tonë ishte populli, drejtuesit politikë të Qeverisë së Kosovës dhe familjet tona, por ishte dhe faktori ndërkombëtar, duke përfshirë edhe Amerikën. Amerika ishte në negociata me Qeverinë e Serbisë për lirimin tonë. (Vijon)

* Më 12 qershor 2021, Albin Kurti në Divjakë, ka folur në lidhje me këtë ngjarje të cilën e ka përshkruar Nait Hasani.

Për më shumë shikojeni videon në të cilën flet Kurti:

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi,…