JA PSE NUK KA MOBILIZIM NË MBROJTJE TË SHTETIT!
Milazim Krasniqi
Shumica e qytetarëve shqiptarë të Kosovës nuk varen nga politikat qeveritare, prandaj janë indiferenë se çfarë politikash hartohen e zbatohen. Ja pse! 1. Një numër i madh familjesh varen nga remitancat e familjarëve të tyre nga diaspora. Janë rreth një miliardë euro në duart/xhepat e tyre, pa u varë ata direkt nga shteti. Ata harxhojnë paratë që nuk i fitojnë me punën e vet dhe ndihen rehat. Nuk kanë nevojë për subvencione e grante, ngase tokat i lënë batall, motin e shkojnë në vetura, në kafehane, në syneti, dasma e në të pame.
2. Një numër i madh biznesesh e njerëzish varen nga informaliteti. Janë poashtu një miliardë euro, e pakta, që gjenerohen nga informaliteti. Këta tipa fërkojnë duart për aq sa vazhdon kollapsi i shtetit, që të mund të vazhdojnë kontrabandën dhe krimin e organizuar. 3. Punonjësit në institucione shtetërore e publike janë rehat me politikat joefikase të institutucioneve, ngase marrin rroga të mira, për një punë që e bëjnë shkel e shko. Disa prej tyre i rrisin të ardhurat edhe me korrupsion, realisht pa u trazuar nga institucioent shtetërore. Edhe këta, pra, ndihen rehat me këtë lloj qeverisjeje dhe me këtë loj shteti. 4. Disa të tjerë që zhvillojnë biznese legale, por duke qenë afërt me qeveritarët, fitojnë tenderë dhe favore të shumta. Edhe këta ndihen komod e nuk kanë pse të protestojnë, sespe në atë rast do të protestonin kundër interesave të veta. 5. Shumë nga të rinjë e të rejat e diplomuar në universitetet publike provinciale dhe në kolegje/këpurdhat e shumta private, e dinë si i kanë marrë diplomat dhe nuk kanë as guxim as fytyrë që të organizohen e të protestojnë kundër gjendjes së keqe në shoqëri. Dosjet e favoreve, ose edhe të falsifikimeve të provimeve e të diplomave, e mbajnë peng pakënaqësinë e tyre. Ata më parë arratisen nga vendi, se sa që guxojnë të protestojnë.
6. Elitat intelektuale, aq sa janë, kanë kalkulimet e veta: shumë prej tyre kanë problem me biografitë dhe prandaj e mbajnë gojën mbyllur. Jo pak të tjerë janë të afërt me partitë politike dhe zhvatin favore për veten dhe për farefisin e tyre, në të katër anët. Kundër kujt duhet të protestojnë këta intelektualë?! 7. Një grumbull jo i vogël qytetarësh nuk e përjetojnë fare Kosovën si shtet të vetin. Ia injorojnë flamurin, ia injorojnë himnin, ia injorojnë historinë. Demek, e konsiderojnë vetëm si një “e keqe e domosdoshme” në procesin e bashkimit kombëtar. Rrjedhimisht, nga këta vjen jo pak destruksion politik, rrënim i imazhit të shtetit dhe konflikte politike e sociale. 8. Një pjesë e shoqërisë civile mirret me tema që financohen nga të huajt, si fjala vjen, problemi i ekstremizmit, minoritetet, problemet e grupeve LGBT, mbrojtja e qenve. Këto kontigjente të shoqërisë civile nuk kanë interes të ndryshojnë gjërat, sepse në atë rast mund t’u ndryshojnë statusi dhe t’u thahet kaqepi edhe atyre.
8. Shumë nga mediet bëjnë zhurmë, por më shumë duke ngritur disa axhenda për hesapet e veta, se sa për ta mbrojtur interesin e publikut. Disa prej tyre janë shndërruar nga zori edhe në zhvatës të fondeve nga insitucionet shtetërore, duke i shantazhuar: ua evidencojnë paligjshmërinë, pastaj i njoftojnë për gjetje dhe për të mos u rënë në qafë, arrijnë marrëveshje për dhënien e fondeve në formë reklamash a favoresh të ndryshme. Rrjedhimisht, as këto lloj mediesh nuk mund të jenë promotorë të ndryshimeve e aq më pak të mobilizimit qytetar. Në fakt, vetë mediet janë viktima të mungesës së rregullimeve adekuate të tregut, të konkurencës dhe të transparencës. Prandaj, për të mbijetuar sillen ngjashëm me akterët politikë, luftojnë për ‘tallin” e vet si të munden.
Kush po mbetet i pakënaqur? Mbetet fukaraja. Fukaraja, që është i pagojë, i pafuqishëm, i padijshëm dhe i pambrojtur. Për fukaranë tashmë janë hapur rrugët e arratisjes, ashtu që problemi po shkon drejt “zgjidhjes.” Prandaj nuk ka kush reagon, nuk ka kush bën ndryshime. Natyrisht, në të gjitha grupet që u numëruan, ka idealistë, njerëz të ndershëm, atdhetarë të devotshëm. Por, në të gjitha grupet, ata janë pakicë. Prandaj nuk arrijnë të bëjnë masën kritike për të ndryshuar gjendjen. Kjo pakicë zatën bënë gjithë këtë zhurmë, në të gjitha grupet. Zhurma u mirrret si e mirëqenë, bile shikohet me simpati, por injorohet nga shumica, e cila pa bërë aspak zhurmë, ia imponon vullnetin e saj kësaj shoqërie të deprimuar dhe këtij shteti të pakonsoliduar, duke i mbajtur me planifikim në gjendje dialize. (20 korrik 2019)