Ja pse nuk lidhi PDK-ja koalicion me LDK-në në Prizren
Dorëheqja e Anton Qunit nga detyra e kryetarit të LDK-së në Prizren është arsyeja kryesore për mosarritjen e një koalicioni bashkëqeverisës me LDK-në.
Në një intervistë në ATV, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pranuar se LDK i ndihmoi për fitoren e tij, por problemet në degë pamundësuan bashkëqeverisjen.
“Sa i përket LDK-së unë kam pritur që të kemi një përfundim të suksesshëm të bisedimeve, mirëpo pas dhënies së dorëheqjes së zotit Qunit, na u komplikua çështja se dega e LDK-së në Prizren nuk kishte lidership dhe ishte pak a shume e shkapërderdhur dhe kjo e pamundësojë arritjen e një koalicioni” thekson Totaj.
Ndër të tjera, ai shprehi falënderimin dhe mirënjohje ndaj LDK-së që, sipas Totajt, ka dhënë kontribut të madh për fitoren e PDK-së në Prizren.
“Publikisht dëshiroj ta falenderoj LDK-në, sepse me të vërtetë na ka ndihmu, edhe pse formalisht kanë qenë neutrale. Ne kemi pasur shumë kontakte, e di që janë angazhuar, na kanë ndihmuar, dhe për këto arsye kam qenë i interesuar për koalicion, por ja që nuk arritëm” ka përfunduar Totaj.