Ja pse PDK-ja duhet dhe do t’i fitojë zgjedhjet
Profesori dhe anëtari i Këshillit Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ibrahim Gashi, është shprehur i bindur në fitoren e PDK-së më 6 tetor. Ai i ka treguar arsyet pse duhet dhe do të fitojë PDK-ja në këto zgjedhje. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se qytetarët e Kosovës duhet t’i besojnë të kaluarës dhe vizionit për të ardhmen që ka PDK-ja dhe lidershipi i saj.
“Unë listova vetëm disa arsye, edhe pse ka një listë të gjatë të tyre, që qartësisht dhe padiskutueshëm e bëjnë PDK-në në këtë proces zgjedhor ofertën më të sigurt për të ardhmen e vendit dhe liderin e saj kryeministrin më kredibil dhe më të përkushtuar sa iu takon ndryshimeve që duhet të ndodhin, të cilat tashmë i ka shpalosur përmes ‘Dekadës së Re’”, ka thënë Gashi.
Ai ka bërë me dije se të gjitha subjektet e tjera politike që i ofrohen si alternativë qytetarit të Kosovës më 6 tetor kanë probleme të mëdha. Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka mohuar dhe nënçmuar shtetin e Kosovës, LDK-ja nuk ka guxuar të marrë vendime të mëdha, kurse AAK-ja me qeverisjen e saj ka sjellë ftohjen e marrëdhënieve të Kosovës me partnerët e saj strategjikë. “Bindja ime e thellë, duke e përcjell parafushatën dhe duke e njohur fuqinë reale të një strukture të konsoliduar të PDK-së, është se më 6 tetor me rezultatin e saj PDK-ja do ta bëjë diferencën e mjaftueshme sa për të mos e konsideruar se do të ketë garë të ngushtë me asnjërën nga partitë rivale”, ka thënë Gashi.
“Epoka e re”: Z. Gashi, prej shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme subjektet politike e kanë filluar një parafushatë. Gjatë kësaj kohe çka e ka dalluar PDK-në dhe kandidatin e saj për kryeministër nga partitë e tjera?
Gashi: Në dy javët e fundit kemi parë një paraqitje të kandidaturave dhe të ofertave politike për zgjedhjet e 6 tetorit. Nga të nominuarit për kryeministër shumica syresh nuk janë emra të rinj, përjashto liderin e PDK-së dhe kandidaten e nominuar nga LDK-ja. Ajo që e dallon qartësisht PDK-në dhe liderin e saj nga konkurrentët e tjerë është vizioni i qartë politik se çfarë ndryshime duhet të ndodhin në mënyrën e qeverisjes, legjitimiteti dhe fuqia e tij politike brenda subjektit që ai drejton, e dalë nga një proces i brendshëm zgjedhor (i cilësuar edhe nga të tjerët si procesi më demokratik që ka ndodhur në Kosovë, e që paraqet standard edhe për subjekte të tjera politike), vendosmëria dhe guximi i z. Veseli për t’i filluar ndryshimet, edhe para se të shpalleshin zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, duke prekur temën deri tani më të paprekshme – atë të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Retorika që partitë e tjera tashmë një kohë të gjatë përdorin për luftën kundër korrupsionit për herë të parë u sfidua nga veprimet e PDK-së dhe kryetarit Veseli, duke tërhequr nga postet ministrat dhe zyrtarët që kishin të ngritura aktakuza. Si duket kjo që bëri PDK-ja dhe lideri i saj ishte kriter i papërballueshëm për partnerët e tjerë të koalicionit, por edhe për partitë në opozitë që kishin qenë pjesë e qeverisjeve të kaluara. Ky përcaktim i z. Veseli, me insistimin e tij dhe të subjektit që ai drejton, u bë standard edhe në kriteret për krijimin e listave të kandidatëve porsa u shpallën zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit. Z. Veseli dhe PDK-ja kërkoi edhe veprime të tjera konkrete të konkurrentëve politikë me rastin e shpalosjes së paktit antikorrupsion dhe ftesës për ta nënshkruar atë nga të gjithë liderët dhe partitë e tyre që garojnë në këto zgjedhje. Mirëpo kjo, siç dihet, nuk ndodhi për shkak të mosgatishmërisë së këtyre partive. Dhe ajo që bën dallimin midis PDK-së dhe kandidatit të saj për kryeministër është përcaktimi i vendosur për ta çuar përpara agjendën dhe forcuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës në përputhje me fundamentët kushtetuese, partneritetin me ShBA-në dhe vendet kryesore të BE-së, për ta përmbyllur procesin e dialogut me Serbinë me një epilog që forcon pozicionin e shtetit të Kosovës në OKB, si anëtare me të drejta të plota dhe i hap rrugë përafrimit me procesin e integrimit në BE dhe në NATO.
Unë listova vetëm disa arsye, edhe pse ka një listë të gjatë të tyre që qartësisht dhe padiskutueshëm e bëjnë PDK-në në këtë proces zgjedhor ofertën më të sigurt për të ardhmen e vendit dhe liderin e saj kryeministrin më kredibil dhe më të përkushtuar sa i takon implimentimit të ndryshimeve që duhet të ndodhin, të cilat tashmë i ka shpalosur përmes “Dekadës së Re”.
“Epoka e re”: Pse duhet ta votojnë edhe një herë PDK-në qytetarët e Kosovës?
Gashi: Jetëgjatësia e partive politike vlerësohet, në radhë të parë, për nga vendimet që ato marrin për të mirën e vendit. Provenienca e konceptit politik dhe lidershipit të PDK-së është shumë specifike. Rrënjët e këtij koncepti politik lidhen me veprimin më të vendosur mbrojtës, përmes një luftë çlirimtare, në një periudhë kur populli shqiptar i Kosovës po përballej me rrezikun e shfarosjes dhe me një veprim jo të armatosur, por diplomatik dhe negocues (në Rambuje), duke e vendosur Kosovën në krah të shteteve më demokratike të botës të cilat me një veprim të armatosur, të parin e këtij lloji, përmbysën planet serbe për një Kosovë pa shqiptarë. Lufta e armatosur dhe diplomatike për ta mbrojtur vendin është testi më i vështirë për ta kaluar një parti dhe lidershipi i saj. Ndryshe, emrat e liderëve të mëdhenj botërorë, Roosevelt, Truman, Ajzenauer, Churchil, De Gol dhe partitë që ata drejtuan nuk do të ishin fituese edhe pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore për dekada me radhë. Pra është çështje e një besimi të krijuar në periudhën e sfidave më të rënda. Kjo që thashë është dëshmia e parë pse duhet besuar vetëm PDK-së. Në procesin e definimit të statusit, përmes bisedimeve të Vjenës, atëbotë si parti në opozitë, PDK-ja esencialisht pati rol kryesor për ta arritur maksimumin e asaj që mund të arrihej në një momentum ndërkombëtar të vështirë, ku po matej fuqia e shteteve demokratike në krye me ShBA-në dhe BE-në dhe shteteve jodemokratike në krye me Rusinë e cila po shënonte një rifuqizim të saj.
Shpallja e pavarësisë (17 shkurt 2008), ku PDK-ja dhe lidershipi i saj pati rol substancial, nuk shënoi, megjithatë, fundin e problemeve për Kosovën. Lufta për ta minuar shtetin e Kosovës dhe për ta penguar afirmimin e tij ndërkombëtar vazhdoi dhe po vazhdon nga ana e shtetit të Serbisë dhe miqve të saj. Kjo duhet të jetë arsyeja e tretë pse duhet besuar vetëm PDK-së dhe Kadri Veselin që ta drejtojnë Kosovën në etapën për konsolidimin e shtetit të Kosovës, në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Nëse i dëgjojmë me vëmendje të gjithë liderët sa joseriozë janë karshi shtetit nuk e kemi të vështirë të përcaktohemi (nëse jemi të papërcaktuar akoma) se kënd duhet të votojmë.
Si ofertë politike që i ofrohen zgjedhësit të Kosovës më 6 tetor kemi parti që e mohuan, s’e njohën dhe për më shumë e nënçmuan tash e dhjetë vjet shtetin e Kosovës dhe tani me një retorikë false dhe më shumë hipokrizi harrojnë atë që kanë thënë dhe kërkojnë votën, duke thënë se vetëm ata mund ta shpëtojnë shtetin e Kosovës. Qytetarët duhet ta dinë se në vijimësi jo vetëm që e kanë mohuar atë, por e kanë nënçmuar, madje edhe sulmuar edhe miqtë dhe partnerët që ndihmuan në gjitha fazat bërjen e shtetit të Kosovës. Kemi, po ashtu, parti të tjera që vetën e mbajnë si parti institucionaliste, por që asnjëherë, përveç kur e kanë pasur në ballë të qeverisjes PDK-në, nuk kanë guxuar të marrin vendime. Për pasojë të njëjtit e kanë penguar ndryshimin e Kushtetutës për themelimin e Ushtrisë së Kosovës. Një parti tjetër që si udhëheqëse e qeverisë së fundit solli ftohjen e marrëdhënieve të Kosovës më partnerët strategjikë, në radhë të parë me ShBA-në, por edhe me vendet e tjera të BE-së. Edhe në fushatën zgjedhore kjo parti nuk i ka shumë të qarta sfidat që ka Kosova në konsolidimin e shtetësisë së saj, veçmas në planin ndërkombëtar.
“Epoka e re”: Por, rivalët politikë të PDK-së numërojnë shumë arsye se pse kjo parti duhet të shkojë në opozitë. Sa të qëndrueshme janë ato arsye?
Gashi: Për fat të keq nuk ka asnjë arsye të qëndrueshme. Përkundrazi, asnjë nga konkurrentët politikë nuk kanë arritur dhe nuk po arrijnë ta konkurrojnë vizionin qeverisës që PDK-ja ka lansuar nëpërmjet “Dekadës së Re”. Pamundësia e tyre që të konkurrojnë me vlera, ide dhe vizion qeverisës me PDK-në i ka vënë ata në pozicione nihiliste mohuese dhe akuzuese për t’i mbuluar deficitet e tyre.
“Epoka e re”: Edhe kësaj here shumica e subjekteve politike PDK-së i kanë vendosur vija të kuqe. Si e keni parë një veprim të tillë të këtyre partive? Pse po ndodh kjo?
Gashi: PDK-ja nuk ka vënë vija të kuqe për asnjë nga konkurrentët e vet. Ajo i ka vënë vijë të kuqe ndërhyrjes së Serbisë në punët shtetërore të Kosovës dhe korrupsionit dhe nepotizmit. Nuk është retorikë, por përcaktim i vendosur i kryetarit dhe kryeministrit të ardhshëm të Kosovës, z. Kadri Veseli.
“Epoka e re”: Parashikimet janë se më 6 tetor do të kemi një garë të ngushtë mes disa subjekteve politike. Sipas jush, kë do ta ketë rival kryesor PDK-ja dhe çfarë do ta bëjë dallimin?
Gashi: Bindja ime e thellë, duke e përcjell parafushatën dhe duke e njohur fuqinë reale të një strukture të konsoliduar të PDK-së, është se më 6 tetor me rezultatin e saj PDK-ja do ta bëjë dallimin e mjaftueshëm sa për të mos e konsideruar se do të ketë garë të ngushtë me asnjërën nga partitë rivale.
Muhamet KOCI