Ja rekordet që mund të thyhen në 2019-n
Me garën e parë për Çmimin e Madh të Australisë nis pas një muaji Botërori i Formulës 1, një kampionat ku mund të pritet thyerja e një sërë rekordesh.
Kështu, për këtë vit mund të kemi rekordin për kryesimin dhe fitoren e garave të Formulës 1. Rekorde këto që mund të thyhen nga Lewis Hamilton, i cili kërkon të barazojë 7 titujt e Michael Schumacher, si dhe numrin e fitoreve, 91 të tilla.
Në këtë pikë, Hamilton duhet të fitojë 18 nga 21 garat e këtij kampionati, gjë që do të ishte diçka historike. Një tjetër rekord që mund të thyhet është ai i pilotit më të ri që fiton “pole position”, që për momentin mbahet nga Sebastian Vettel, vendosur në vitin 2008 në Monza, kur gjermani ishte 21 vjeç e 72 ditë.
Deri më tani, ai që ia ka rrezikuar këtë rekord Vettelit ka qenë Max Verstappen, i cili tashmë e ka kaluar këtë kufi moshe. Ndaj, ata që mund ta thyejnë këtë rekord janë Norris, Stroll dhe Russell. Vettel ka edhe rekordin e pilotit më të ri që ka fituar titullin e Formulës 1, në moshën 23 vjeç e 134 ditë, në vitin 2010. Në këtë pikë, ata që rrezikojnë t’ia rrëmbejnë këtë rekord pilotit gjerman të Ferrarit janë Max Verstappen dhe LeClerc.
Daniel Ricciardo dhe Valtteri Bottas kanë privilegjin të duelojnë për rekordin e pikëve të grumbulluara, pa u shpallur asnjëherë kampion bote, që mbahet nga Felipe Massa, me 1.167 pikë. Australiani është më pranë pilotit brazilian, me 182 pikë, ndërsa finlandezi i Mercedesit është 205 pikë larg Massës. Ferrari është skuderia që mban rekordin për titujt radhazi të fituara për konstruktorë, me 6 të tillë, të gjitha të arritura në periudhën e Michael Schumacher. Këtë rekord mund ta barazojë Mercedesi këtë vit, me skuderinë gjermane që e ka fituar 5 herë radhazi titullin për konstruktorë.