Ja rezultatet e Kosovës në Kollashin të Malit të Zi
Ekipi potencial i Kosovës për Lojërat Olimpike Dimërore “PyeongChang 2018”, e ka mbyllur disiplinën e sllallomit, në garën e FIS-it që po mbahet në Kollashin të Malit të Zi.
Rezultatin më të mirë e arriti Albin Tahiri, i cili e ka siguruar paraprakisht normën olimpike në pesë disiplina. Tahiri doli i dhjeti nga 41 garues. Ai pas dy lëshimeve pati kohën 1:49.58 sekonda. Arbi Pupovci zuri vendin e 22-të me kohë 2:02.50 sekonda, shkruan faqja zyrtare e Komitetit Olimpik të Kosovës. Faton Shurrdhaj nuk arriti ta mbyll garën në lëshimin e dytë.
Cakun nuk e arritën gjithsej 16 skitarë. Në konkurrencën e femrave, Fiona Rrusta dhe Adea Kollqaku zunë vendet 12 dhe 13 nga 21 pjesëmarrëse. Tetë skitare nuk arritën ta mbyllin garën. Fiona pati kohën 2:10.57 sekonda pas dy lëshimeve, kurse Adea i mbylli dy lëshimet me kohë 2:27:51 sekonda. Në ditët e ardhshme, ekipi ynë do të marrë pjesë edhe në disiplina tjera. Gara në Kollashin vlen për grumbullim të pikëve, të cilat mundësojnë fitimin e normës olimpike në LOD “PyeongChang 2018”.
Gara do të ketë edhe në Banjsko të Bullgarisë, ku ndodhet skitarja tjetër, Lyra Hoxha. Nga sot, Lyra është në stërvitje intensive në Bansko të Bullgarisë, ndërsa të enjten dhe të premten do të sprovohet në garat e sllallomit. Deri më tani normën olimpike e ka fituar vetëm Albin Tahiri. (noc-kosovo.org)