BE-ja rikonfirmon kundërshtimin e nismës për Specialen
Kërkesa e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, tashmë gjendet në Qeverinë e Kosovës, ka konfirmuar kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës rreth një javë më parë ia ka dërguar Qeverisë së Kosovës nismën e deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, në mënyrë që ekzekutivi ta japë mendimin e fundit lidhur me këtë nismë.
Kryeministri Haradinaj, ka thënë se kjo çështje ende është duke iu nënshtruar aspektit procedural në ekzekutiv.
“Ajo ka ardhur në Qeveri. Është në procedurë të zakonshme. Do të thotë, çdo gjë është procedurë e zakonshme në Qeveri. Nuk kam ndonjë përgjigje. Kurdo që procedura e sjellë në rend të ditës, ne do ta trajtojmë”, ka thënë Haradinaj.
Në anën tjetër, qysh kur Kryesia e Kuvendit të Kosovës, më 22 dhjetor të vitit të kaluar, kishte dështuar në dy tentime të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për të votuar lidhur me nismën e 43 deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, Bashkimi Evropian kishte reaguar ashpër lidhur me këtë nismë.
Në reagimin e saj, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, pati thënë se çdo përpjekje për shfuqizimin e Gjykatës Speciale “do të ndikonte negativisht në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në”.
Autoritetet ndërkombëtare dhe sidomos përfaqësuesit e vendeve të Quintit i kanë paralajmëruar mbështetësit e nismës për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale për masa të ashpra që mund të ndërmerren ndaj tyre.
Në opinion është përfolur si mundësi që zyrtarëve që qëndrojnë prapa kësaj nisme, të mos u lëshohen viza për vendet e Bashkimit Evropian.
Por, një masë e tillë nuk është konfirmuar nga Maja Kociançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Ajo ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se BE-ja mbetet pranë qëndrimit të shprehur më herët.
“Ka pasur deklaratë të zyrës sonë në Prishtinë dhe ky është qëndrimi ynë”, ka thënë Kociajnçiq.
Në anën tjetër, javë më parë, kryeministrit Haradinaj nuk i ishte mundësuar marrja e vizës për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai tashmë është në pritje të një vize edhe nga ambasada e Britanisë së Madhe.
Duke folur rreth masave eventuale kundër politikanëve nga Kosova, përfshirë edhe mundësinë e bllokimit të vizave për të udhëtuar në vendet e BE-së, kryeministri Haradinaj tha se bllokimi i vizave më shumë i godet qytetarët se politikanët.
“Shumë keq është nëse ndodhë. Mirë do të na e bënin politikanëve sikur të na i refuzonin vizat, por ato t’ua japin qytetarëve. Shumë më keq është që ata kanë mbetur në një vend. Politikanët i marrin vizat. Besoni, mos ua mbani dertin. Sigurt po u them që i marrin. Problemi dhe ajo që është e dhimbshme, është që Kosova është e izoluar”, ka thënë Haradinaj.
Ditë më parë, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delwie u ka bërë thirrje përfaqësuesve politikë në Kosovë që të heqin dorë nga shfuqizimi apo ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.
Ai ka theksuar se “deputetët që e mbështesin këtë nismë dhe politikanët që i prijnë asaj përkundër mohimeve të tyre, do t’iu nënshtrohen pasojave specifike dhe të ashpra”.