Ja rregullat e reja për ‘Topin e Artë’
Të gjithë e mbajnë mend se “Topi i Artë” i fundit i fituar nga Lionel Messi shkaktoi polemika dhe pakënaqësi të mëdha për faktin se shume besonin se e meritonte Lewandowski.
Por nuk është hera e parë sepse edhe vite të tjera ka pasur polemika për kriteret e fituesit të madh.
Sot, “L’Equipe” dhe “France Football” kanë publikuar disa kritere të reja që do ta bëjnë akoma më të besueshëm këtë trofe të madh personal për lojtarët.
Kështu, ndryshimi i parë ka të bëjë me vlerësimin në bazë të sezonit që mbyllet në shtator dhe jo në bazë të vitit kalendarik.
Për shembull, “Topi i Artë” 2022 do të jepet në shtator dhe jo pas Kupës së Botës në Katar.
Juria do të reduktohet në 100 persona, ndryshe nga ç’ka qenë këto vite, pra gazetarët që do të votojnë do të jenë nga federatat e 100 vendeve të para në renditjen e FIFA-s, që heq kështu vota të panevojshme ose siç njihen, vota piktoreske.
Më kryesorja, riformatohen kriteret për të zgjedhur fituesin e “Topit të Artë”. Fituesi do të vlerësohet në bazë të paraqitjeve individuale dhe personalitetit të tij, paraqitjeve kolektive dhe fitoreve të skuadrës së tij, klasi i lojtarit dhe fair play i tij në fushë.