Ja sa është borxhi i serbëve të veriut për ujë
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për pagesën e borxheve të serbëve të veriut të Mitrovicës dhe të Zveçanit për ujin e shpenzuar.
Kabineti qeveritar, pasi që paraprakisht është informuar për gjendjen financiare të kompanisë ujësjellësi rajonal “Mitrovica”, ka marrë vendim për t’i ofruar ndihmë financiare kësaj kompanie.
Mësohet se rreth 14 milionë euro është vlera e faturave të ujit të shpenzuar, të cilat nuk janë paguar nga banorët serbë të këtyre komunave veriore që nga përfundimi i luftës. Siç thonë në kompaninë ujësjellësi rajonal “Mitrovica”, nëse nuk ndërmerren masa rrezikohet ndërprerja e prodhimit të ujit, pasi që gjendja është vështirësuar tej mase, shkruan “Zëri”.
Fabrika për përpunimin e ujit që gjendet në Shipol, respektivisht KURM, është e vetmja kompani e licencuar që kryen veprimtarinë e furnizimit me ujë të pijshëm dhe mirëmbajtjen e kanalizimit në rajonin e Mitrovicës, ku përfshihen Mitrovica Jugore dhe ajo Veriore, Vushtrria, Skenderaj dhe Zveçani.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka ka thënë se kjo ministri ka ndarë 1 milion euro për ndihmë dy kompanive të Mitrovicës, ujësjellësit rajonal “Mitrovica” 800 mijë euro dhe kompanisë për menaxhimin e mbeturinave “Uniteti” 200 mijë euro. Kjo ndihmë financiare, sipas ministrit Lluka, është ndarë për t’i tejkaluar vështirësitë financiare në të cilat ndodhen ato. Drejtori i kompanisë ujësjellësi rajonal “Mitrovica”, Sami Miftari, ka thënë se rreth 40 për qind të ujit e shpenzojnë komunat veriore dhe se serbët e asaj pjese nuk kanë paguar asnjëherë për ujin e shpenzuar. Sipas tij, mospagesa e faturave të ujit ka vështirësuar gjendjen financiare të kompanisë. Ai ka treguar se Qeveria e Kosovës herë -herë ka subvencionuar ujin e shpenzuar në veri të vendit, por prej vitit 2016, përveç në një rast kur janë paguar 300 mijë euro, Qeveria e Kosovës nuk ka paguar më asnjë cent.
“Herë pas here Qeveria e Kosovës ka ndihmuar subvencionimin e ujit që distribuojmë për veri, por tani nuk ka shprehur më interesim. Në vitin 2016 Qeveria ka subvencionuar për ujin e shpenzuar në veri me rreth 300 mijë euro për arsye se veriu i Mitrovicës dhe Zveçani marrin para nga buxheti i Kosovës, sikurse çdo komunë tjetër. Por, më asnjë cent nuk është derdhur në llogarinë e ujësjellësit”, deklaroi ai.