Ja sa fletëvotime do të shtypen për zgjedhjet e 17 tetorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për numrin e fletëvotimeve që do të shtypen për zgjedhjet komunale
Ky komision ka njoftuar se ky vendim mbështetet në listën përfundimtare të votuesve, sipas të cilës për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, numri i qytetarëve me të drejtë vote brenda vendit është 1 milion e 885 mijë e 448 votues.
KQZ-ja ka bërë me dije se për zgjedhjet për kryetarë të komunave do të shtypen 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime, ndërsa për zgjedhjet për kuvende komunale do të shtypen po ashtu 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime. Pra, numri i përgjithshëm i fletëvotimeve që do të shtypen për dy llojet e zgjedhjeve të 17 tetorit është 3 milionë e 397 mijë e 200 fletëvotime.
Sipas vendimit të KQZ-së, do të shtypen 186 mijë e 848 fletëvotime më pak se votues apo në përqindje 9.91 për qind dhe se kjo është një praktikë e ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore.
Në zgjedhjet e fundit, ato parlamentare që janë mbajtur në muajin shkurt, KQZ-ja kishte shtypur rreth 178 mijë fletëvotime më pak se numri i votuesve.