Ja sa para fitoi FSHF nga pjesëmarrja e Kombëtares në Europian
E fundit në grupin B me vetëm 1 pikë, Shqipëria i dha të hënën lamtumirën Europianit të futbollit në Gjermani.
Kuqezinjtë arritën vetëm një barazim 2-2 me Kroacinë në grupin e “Ferrit”, por në Europian nuk luhet vetëm për pikët, por edhe për paratë.
Shpërblimet financiare nga UEFA janë të mëdha dhe FSHF nga pjesëmarrja në fazën finale të Euro 2024 ka arritur të përfitojë 9 milionë e 250 mijë euro.
Sakaq fitorja e ndeshjeve në grup në këtë Kampionat Europian vlen 1 milion euro, ndërsa barazimi gjysmë milion euro. Duke qenë se kuqezinjtë barazuan vetëm një herë dhe regjistruan dy humbje, FSHF arkëtoi nga UEFA edhe 500 mijë euro shtesë.
Në total Federata Shqiptare e Futbollit ka mbushur arkat e saj me 9 milionë e 750 mijë euro.
Ndërkohë, për ekipet që ende janë në garë, kalimi në fazën e 1/16 shton në arkat e federatave përkatëse shumën e 1.5 milionë eurove.
Kalimi në fazën çerekfinale do të përkthehej në arkëtimin e 2.5 milionë eurove, ndërsa gjysmëfinalja sjell 4 milionë euro shtesë.
Sa i përket finales, humbësi do të arkëtojë 5 milionë euro, ndërsa kampioni i ri i Europës do të fitojë 8 milionë euro, por për shkak të rrugëtimit deri te ngritja e trofeut për federatën fituese arkëtimet mund të shkojnë deri në 28.25 milionë euro në total.