Ja sa para investoi Kosova për liqenin e Ujmanit
260 milionë dinarë i kishte paguar Kosova që ta realizojë digën dhe projektin për Liqenin e Ujmanit në fund të viteve të 70-a.
Përveç tyre, edhe 45 milionë të tjera i kishte marrë kredi, po që vetëm një pjesë të vogël kishte arritur ta paguante si pasojë e inflacionit të kohës.
Por, pas tërë këtij investimi ndër vite, ky liqen po përflitet se mund t’i kalojë Serbisë.
Për shfrytëzimin e kapaciteteve të Ujmanit, së fundi është bërë edhe një investim milionësh nga Qeveria Gjermane, ajo austriake dhe Komuna e Prishtinës.
35 milionë euro janë shpenzuar për ndërtimin e Fabrikës së Ujit në Shkabaj, që me ujë furnizohet nga Liqeni në veri të Kosovës, ai i Ujmanit.
Kjo fabrikë, ujë ofron për tërë Komunën e Prishtinës dhe qytetet e rrethinës. Në rast të marrjes së pronësisë së Liqenit të Ujmanit, Drejtori i Ujësjellësit, Ilir Avdullahu, ka thënë për “KTV”-në se nuk ekziston mënyrë tjetër e furnizimit me ujë për fabrikën në Shkabaj.
Këtë e ka pohuar edhe ish-drejtori i ujësjellësit, Selatin Retkoceri.
Ujmani është liqeni më i madh në Kosovë me rreth 12 km katror, derisa një pjesë e tij kalon edhe në Serbi, e që ata e quajnë Liqeni i Gazivodës.