Ja sa pritet të mungojë Gjimshiti
Atalanta pësoi një humbje 3-0 mbrëmë ndaj Torinos, por lajmi i keq ishte edhe dëmtimi i Berat Gjimshitit. Impakti i kapitenit kuqezi tek ekipi i zikaltër është jashtëzakonisht i madh, kjo u pa qartë edhe në këtë sfidë, sapo Gjimshiti doli nga fusha i dëmtuar, bergamskët pësuan tre gola.
Mbrojtësi shqiptar doli nga fusha në minutën e 19-të, ndërsa mediet italiane kanë zbuluar se bëhet fjalë për një tërheqje muskulore në kofshën e majtë. Në pritje të analizave më të detajuara, Gjimshiti pritet të mungojë afro 15 ditë, por kjo për Gasperinin është një periudhë e gjatë.
Kapiteni kuqezi pritet të mungojë në sfidën kundër Milanit më 9 dhjetor, kjo e shqetëson shumë trajnerin e Atalantas, pasi Gjimshiti po kalonte një moment fantastik, duke qenë titullar absolut në ekipin e Gasperinit.