Ja sa qytetarë të huaj jetojnë në Shqipëri
Të huajt që jetojnë në Shqipëri sipas Instat për vitin 2016 janë 12519. Pjesa më e madhe e tyre jetojnë në vendin tonë për qëllime punësimi. Këta të fundit zënë ekzastësisht 50% të totalit të të huajve që jetojnë rregullisht në Shqipëri.
Në vend të dytë ndjekin qëllimet për bashkim familjar, me 22%, e më pas ata për qëllime humanitare, me 19%.
Në vend të fundit janë ata për qëllime studimi, të cilët zënë vetëm 5% të totalit sipas të dhënave më të fundit të institutit të statistikave, që i referohen vitit 2016. Këto të dhëna flasin kështu për një rritje totale të numrit të të huajve me 18.5% në vendin tonë, krahasuar me vitin paraardhës.
Pjesa më e madhe e tyre, ose 66.5% e totalit janë shtetas me origjinë nga një prej vendeve të Bashkimit Europian.
Këtu pjesën e luanit e zë Italia. Shtetas të shumtë italianë janë dyndur në vendin tonë gjatë viteve të fundit, duke shfrytëzuar kështu mundësitë e shumta për punësim, mundësitë më të shumta për shkollim si dhe jetesën e lire.
Duke qenë se në shifrat e Instat reflektohen vetëm ata me leje të rregullt qëndrimi në vendin tonë, shifra reale është bindshëm më e lartë, pasi një pjesë e madhe e të huajve në Shqipëri qëndrojnë pa leje qëndrimi, duke e neglizhuar atë.
Autoritetet italiane vlerësojnë se, në Shqipëri aktualisht punojnë dhe studiojnë rreth 20 mijë italiane, pra thuajse dy herë sa shifra totale e të huajve në vendin tonë, dhe gati katër herë më shumë se numri i italianëve të deklaruar që jetojnë në vend.
Azilkërkuesit në Shqipëri, në 2016, rezultojnë 240 persona, duke shënuar një rritje me 126 %, krahasuar me vitin 2015.
/SCAN