Ja sa tifozë do jenë në ‘Wembley’ për ndeshjen Angli – Gjermani
Anglia do të mbështetet thuajse nga gjithë tifozeria në “Wembley” kur të zbresin në fushë të martën për duelin e 1/8-ave kundër Gjermanisë.
Federatës Angleze dhe homologëve të tyre gjermanë do t’u vendosen në dispozicion nga UEFA 7-10 mijë bileta secilit për stadiumin që do të ketë 45 mijë tifozë në total atë ditë. Megjithatë, për shkak të kufizimeve të udhëtimit prej pandemisë, Gjermania pritet të pranojë vetëm 2 mijë bileta, të cilave do t’u shiten gjermanëve rezidentë në Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo do të thotë se pjesën tjetër të biletave ata do ta kthejnë dhe ato do të vendosen në dispozicion të tifozëve që nuk e fituan të drejtën e një bilete. Dhe pjesa më e madhe e këtyre janë tifozë të “Tre Luanëve”, që do të thotë se Garet Sauthgejt do ta ketë më të madhe forcën mbështetëse të lojtarit të 12-të më 29 qershor. “The Times” shkruante se për të ndjekur në stadium ndeshjen më të rëndësishme të Anglisë pas asaj kundër “Pancerave” në gjysmëfinalen e “Euro 1996”, çmimet në tregun e zi po lëvizin me shpejtësi. Tifozët janë paralajmëruar se për të siguruar një biletë do të paguajnë shifra edhe më të larta se 10 mijë paund. 1000
TIFOZË NË FINALE – Por nëse Anglia do të shkojë deri në finale, atëherë vetëm 1000 tifozë të ekipit tjetër finalist do të mund të udhëtojnë drejt Londrës për të ndjekur finalen. UEFA dhe qeveria britanike janë duke diskutuar mundësinë për të lejuar një numër të kufizuar tifozësh që të hyjnë në Britani për 24 orë. Pritet që 1000 tifozët të shkelin në Angli me fluturime çarter, të dërgohen menjëherë në stadium, mundësisht përmes një parku tifozësh dhe pastaj të grumbullohen sërish në autobusë me destinacion aeroportin pasi të kenë ndjekur finalen.