Ja si dështoi transferimi i Ronaldos te Deportivo La Coruna
Mjafton një detaj i vogël dhe e gjitha karriera e një futbollisti mund të ishte ndryshe. Përveçse pasion dhe profesion, futbolli është puna dhe sakrificë, por në disa momente nevojitet fat që karriera të marrë për mirë. Cristiano Ronaldo u transferua nga Sportingu i Lisbonës te Manchester United në vitin 2003, atëherë kur ishte vetëm 18-vjeç.
Nëse Deportivo La Coruna do të kishte një buxhet më të madh, portugezi do të përfundonte në Galici. Ekipi spanjoll kishte zbuluar talentin, por kërkesa e Sportingut ishte tepër e lartë. Detajin interesant e zbulon Augusto Sezar Lendoiro. Në një prononcim për “Idolos”, ish-presidenti i Deportivos tregon historinë, që mund të kishte ndryshuar totalisht karrierën e Ronaldos.
“Drejtori ynë teknik na sinjalizoi për Ronaldon, pasi e kishte parë nga afër. Unë, kur pashë videot e tij, u informova menjëherë për çmimin. Sportingu i Lisbonës më kërkoi 12 milionë euro. Ishte një çmim i shtrenjtë për klubin tonë. Rekordi ynë kishte shkuar deri në 6 milionë, që i investuam kur blemë Rivaldon. Kristiano ishte talent, por në atë moment nuk e dinim se deri ku mund të mbërrinte… ”, përfundon ish-presidenti i Deportivo La Coruna.