Ja si e komentojnë fitoren e Kosovës, Taip Ramadani dhe Drilon Tahirukaj
Përzgjedhësi Taip Ramadani është shprehur shumë i lumtur për fitoren historike ndaj Izraelit.
Fitorja e së mërkurës ishte e para për Kosovën në kualifikime. Kombëtarja e Kosovës e mposhti Izraelin me rezultatin 27:24 në një ndeshje që e ka dominuar plotësisht.
“Me fitoren jam shumë I kënaqur. Është fitore e arritur falë angazhimit të madh të lojtarëve, që kanë luajtur me zemër. Gjithmonë kam besuar në mbrojtje, por këtë herë edhe sulmi ka funksionuar shumë mirë dhe ky është çelësi i fitores. Tani na pret ndeshja në Izrael dhe atje nuk do të jetë lehtë. Por do të shkojmë për të përsëritur paraqitjen që e kishim këtu para tifozëve tanë”, ka theksuar përzgjedhësi Ramadani.
Edhe aloja Drilon Tahirukaj ka thënë se te fitorja kanë arritur falë angazhimit të madh.
“Kemi dalur në fushën e lojës të përkushtuar për fitore dhe te ajo arritëm duke dhënë edhe atomin e fundit. Luajtëm me zemër dhe luajtëm për njëri-tjetrin. Falë angazhimit të madh arritëm të shijojmë këtë fitore historike”, ka deklaruar Tahirukaj.