Ja si e komenton Ramadani eliminimin nga Liga e Kampionëve
Zekirija Ramadani, trajner i Feronikelit, ka thënë se eksperienca për gara të rëndësishme fitohet me humbjet si ajo e skuadrës së tij ndaj TNS-së në ndeshjen e dytë të rrethit të parë kualifikues për Ligën e Kampionëve.
Feronikeli kishte nxjerrë barazim 2 me 2 në ndeshjen e parë në Uells, por edhe pse dominoi në Kosovë u mposht minimalisht 0 me 1 për të humbur rastin që të bëhet ekipi i parë kosovar që kalon në rrethin e dytë.
“Më vjen keq për futbollistët që u angazhuan 90 minuta dhe nuk ia dolën. Por ky është futbolli. S’jemi ekipi i parë që dënohet për shpërdorim të rasteve të shumta. E dinim që kishim përballë një ekip cinike që në pak raste të ndëshkon. Luajtëm guximshëm, ndoshta ekipi kundërshtar luajti më dobët se në të parën. Kjo që erdhëm deri këtu ishte ndoshta vendosmëria e lojtarëve. Por s’mbaron gjithçka. Dhanë maksimumin, ndoshta ky është maksimumi jonë. Nga humbjet e tilla ka gjithmonë gjëra të dobishme. Duhet të mësojmë. Eksperienca fitohet me këto lloj ndeshjesh. Nuk turpëruam futbollin kosovar e Feronikelin. Luajtëm shumë mirë, e ndoshta viteve të tjera ose ne ose ekipet tjera do të vazhdojnë tutje”, ka thënë ai pas ndeshjes për televizionin publik.