Ja si e shpjegon humbjen portieri i Bullgarisë
Portieri i Bullgarisë, Nikolay Mihaylov, e komentoi disfatën me rezultat 3-2 kundër Kosovës, duke thënë se dallimin në këtë ndeshje e bëri niveli i lojtarëve të Kosovës të cilët luajnë për klube të mëdha.
Skuadra e Bernard Challandes ishte dominuese për pjesën më të madhe të ndeshjes të së hënës kundër Bullgarisë, e cila u zhvillua në kuadër të Grupit A të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.
Kosova kaloi në epërsi qysh pas 14 minutave lojë, përmes Milot Rashicës. Megjithatë, pak para fundit të pjesës së parë, bullgarët u përgjigjën me një gol nga Ivelin Popov. Lojtarët e Bullgarisë e filluan pjesën e dytë dhe kaluan në epërsi pas 10 minutave, përmes Christian Dimitrovit. Megjithatë, “Dardanët” nuk u dorëzuan përkundër që bullgarët ua kishin përmbysur rezultatin. Puna e tyre u shpërblye në minutën e 64-të të ndeshjes, kur Vedat Muriqi realizoi me kokë, pas një harkimi të mirë nga Benjamin Kololli.
Përderisa trajneri Challandes tha pas ndeshjes se ai do të kishte qenë i kënaqur edhe vetëm me një pikë nga kjo ndeshje, djemtë e tij në këtë ndeshje u siguruan që ata t’i marrin të tri pikët në dispozicion, pasi që Elbasan Rashani dhe Milot Rashica kombinuan për ta shënuar golin e fitores në minutën e 92-të të ndeshjes.
“Nuk ka asnjë kuptime të arsyetohemi, duhet ta pranojmë këtë si burra. Në pjesën e dytë, ata e dinin saktësisht se çfarë donin dhe ishin më aktivë. Ata ishin më të mirë fizikisht sesa ne”, ka thënë Mihaylov. “Nuk kam asnjë sqarim për atë që ndodhi, por niveli i lojtarëve, klubet në të cilat luajnë ata… ky ishte dallimi sot. Nuk kam parë aq shumë aksione para portës sonë që një kohë të gjatë”. Portieri Mihaylov u vlerësua me notën më të ulët nga të gjithë futbollistët në fushën e lojës. Për të lexuar më shumë për notat e lojtarëve klikoni këtu, ndërsa për të lexuar për statistikat e ndeshjes klikoni këtu.