JA SI E VLERËSOI ENVER HOXHA HYDAJET HYSENIN…!
Kujtimet e Kristaq Porodinit:
I dashur miku im Ismet Sylejmani,
Dëshiroj të të falenderoj për kohën e bukur që kaluam bashkë gjatë 4 ditëve që qëndrova në Prishtinë.
Takimet me shokët e vjetër, me të cilët na lidh koha e përpjekjeve të mëdha për çlirimin, për pavarësinë e Kosovës, risollën tek unë kujtime e mbresa të paharruara.
Veçanërisht kënaqësi e madhe për mua ishte takimi me Hydajet Hysenin, luftëtarin e paepur, njeriun që vuri gjithçka në shërbim të luftës për çlirimin e Kosovës.
Biseda rrodhi natyrshëm duke na kthyer pas, në ato vite të vrullshme të demostratave studentore, të cilat bënë një kthesë vendimtare për realizimin e aspiratës kombëtare.
I kujtova Hydajetit momentet që përjetuam edhe ne në Shqipëri për ato ngjarje të lavdishme.
Mbaj mend, në atë periudhë kur punoja në Sektorin për Kosovën në Aparatin e Komitetit Qëndror të PPSH-së, nga Enver Hoxha na u kërkua një analizë për situatën dhe ngjarjet në Kosovë.
U vumë në vështirësi, pasi edhe pse e ndiqnim me vëmëndje situatën, për ne ishte e vështirë të bënim një analizë të plotë, duke mos qënë të pranishëm aty.
Në ato ditë, Ambasada jonë në Vienë dërgoi një material ku bëhej një analizë e hollësishme për ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë, dërguar nga shoku I.
Ia përcollëm Enver Hoxhës, i cili pasi e lexoi tha: “Kjo analizë e thellë social-politike më krijoi një pasqyrë të plotë për ngjarjet dhe situatën në Kosovë.”
Në fakt ky material, kjo analizë e hollësishme ishte përpiluar nga Hydajet Hyseni dhe ishte çuar në Ambasadën tonë në Vienë nga Kadri Zeka, me pseudonimin “Ilir”.
Ky ishte shoku I….
Vazhduam të bisedonim, të kujtonim me emocion ato kohë të lavdishme, ata shokë që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës. Ishte një mbrëmje e paharruar për mua.
Të falenderoj ty Ismet dhe Hydajet Hysenin për këtë takim mbresëlënës.
Tiranë, 29 Mars 2024!
E përgaditi për botim,
Ismet Sylejmani,
Prishtinë, 29 Mars 2024!