Ja si ndodhi vrasja tragjike në Pejë dhe kush dyshohet se e vrau Blerand Kadriajn
Po bëhen pesë orë prej kur kanë filluar hetimet në vendin e ngjarjes të vrasjes së dyfishtë. Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijaj, të dy zytarë të lartë të PDK-së, mbetën të vrarë pas gjuajtjes me armë zjarri mbrëmë në Pejë rreth orës 20 e 20 minuta.
Deri më tani është ekzaminuar një nga tri veturat të cilat janë në zonën ku po kryhen hetimet nga të shumtë hetues policor.
Raportimet e parë kanë thënë se dyshohet për shkëmbim zjarri ndërmjet dy të vrarëve, mirëpo Ballkani.info mëson ekskluzivisht se ngjarja ka pas rrjedhë tjetër.
Këto burime thonë se ish kandidati i PDK-së për kryetar të Deçanit, Blerand Kadriaj nga fshati Rastavicë, ka shkuar në lokalin që është ngjitur me një shitore e që është pronë e vëllezërve Ademaj.
“Dyshohet se më të hyrë në lokal Kadriaj ka shtënë në drejtim të Astritit dhe vëllait të tij, Avniut, duke e lënë të vdekur Astritin dhe duke e plagosur Avniun. Më pas dyshohet se ka qenë Avniu që ka shtënë në drejtim të Blerandit duke e lënë të vdekur në vend”, kanë thënë këto burime.
Avni Ademaj
Avni Ademaj ishte plagosur në shuplakën e dorës dhe pas trajtimit në Spitalin Rajonal të Pejës, ai është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur 18 gëzhoja plumbash, kurse pranë vendit ku ka ndodhur kjo tragjedi në një lokal janë siguruar edhe pamjet e kamerave.
Tani do të vijohet me ekzaminime të njërës veturë të të vrarëve dhe veturës së vëllait të Astritit, Avniut. Ky i fundit është plagosur, ndërkohë që pas trajtimeve është në mbajtje. Dy anët e rrugës pranë shkollës “Ali Hadri” janë të bllokuara me shiritat policorë.
Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijaj ishin nga Partia Demokratike e Kosovës. Ademaj ishte kandidat për kryetar të Pejës, ndërsa Kadrijaj, ish-kandidat për kryetar të Deçanit.