Ja si nisi lufta para 20 vitesh në Ponoshec të Gjakovës
Më 3 maj të vitit 1998 në fshatin Ponoshec të Rekës së Keqe të Gjakovës ishin vrarë shumë policë dhe paramilitarë serbë nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në këtë betejë me forcat paramilitare serbe, u plagosën dy pjesëtarë të UÇK-së Hasan Alija e Shaban Dula, si dhe ishte arrestuar po atë ditë Hasan Rama.
Po ashtu, në këtë fshatë ishte plagosur edhe një grua.
Hasan Alija njëri ndër protagonistët kryesor të fillimit të luftës së UÇK-së në fshatin Ponoshec të Rekës së Keqe të Gjakovës ka kujtuar 3 majin e vitit 1998.
Ai gjatë rrëfimit të tij, kujton se fshati Ponoshec edhe pse kishte një pozitë shumë të pafavorshme për luftë, pothuajse i gjithë fshati iu kishte bashkangjitur radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për lirinë e Kosovës dhënë jetën në beteja të ndryshme 14 dëshmorë: Sinan Rexha, Gëzim Duçi, Hajdar Ademaj, Gazmend Imeri, Kasim Uka, Mehmet Dula, Murat Dula, Pëllumb Ademaj, Ramiz Rexha, Shefqet Rexha, Bajram Zymberi, Adem Bajrami, Sadri Neziri e Abdyl Duçi si dhe dy martirë; Elez Imeri dhe Ramë Neziri.
Ish-pjesëtari i UÇK-së, Hasan Alija, ka treguar për gazetën “Epoka e re” detaje se si kishte nisur lufta para 20 vitesh në vendlindjen e tij.
Ai ka thënë se fshati Ponoshec edhe pse kishte pozitë jo të favorshme për luftë, ata çdo natë bënin roje dhe kishin gjashtë pika të pozicionit.
“Ushtarët çdo natë bënin roje për të evituar më të keqen që mund t’iu ndodhtë banorëve të fshatit Ponoshec nga paramilitarët dhe policët të cilët ishin të stacionuar në këtë fshat, si dhe në ‘Pllanik’. Rreth orës 8:30 e mëngjesit të ditës së diel më 3 maj 1998, policia dhe paramilitarët serbë kishin rrethuar shtëpinë e Shadan Dulës, ku ishim ne të pozicionuar. Dhe aty komandanti i policisë serbe të stacionit policor thye deren e oborrit të Shadanit, kurse më pas forcat serbe gjuajtën në drejtim timin, por fati deshi që të mos marrë asnjë goditje. I menjëhershëm ishte reagimi im, forcave serbe iu përgjigja me të njëjtën mënyrë dhe aty mbet i plagosur komandanti i policisë serbe, dhe që nga aty kanë filluar gjuajtjet nga të gjitha anët. Pra, edhe nga forcat policore e paramilitare serbe por edhe nga ana jonë”, ka treguar Hasan Alija.
Ai ka shtuar se pastaj kanë marrë një zollë dhe ka goditur pizgauerin e paramilitarëve serbë i cili ishte i mbushur me plotë policë. “Nga ai moment dhe deri ka ora 1:00 e natës ka vazhduar lufta shtëpi për shtëpi në mes nesh dhe policisë së paramilitarëve serbë. Granatimet nuk janë ndaluar nga Maja e Pllanikut pothuajse gjatë gjithë ditës. Atë ditë nga radhët e UÇK-së jemi plagosur unë dhe Shaban Dula dhe një grua e fshatit, ndërsa është arrestuar Hasan Rama”, ka treguar ai.
Ish-ushtari i UÇK-së ka thënë se në luftime u kanë dalë në ndihmë edhe luftëtarët e UÇK-së nga fshatrat Smolicë, Morinë e Stubëll, të cilët, sipas tij, duke gjuajtur në drejtim të policisë serbe u kanë mundësuar atyre që të rigrupohen dhe të pozicionohen sa më mirë për t’ju bërë ballë forcave paramilitare serbe. “Ka ora 1:30 e natës kemi arritur që ta çajmë rrethimin dhe të bëjmë tërheqjen e të gjitha atyre familjeve që kanë dashtë të largohen nga fshati dhe kemi shkuar në fshatin Popoc”, ka thënë Hasan Alija, ish ushtar i UÇK-së i cili kishte marrë edhe plagë gjatë luftimeve me forcat paramilitare serbe.
Ai ka thënë se UÇK-ja në këtë fshatë ka pasur një organizim të mirë, duke i dalë në mbrojtje popullatës.