Ja si reaguan të burgosurit dhe autoritetet teksa qelitë lëkundeshin nga tërmeti
Për banorët e Shqipërisë që jetojnë afër epiqendrës së tërmetit të 26 nëntorit, momentet e lëkundjeve të tokës ishin të vështira për tu menaxhuar, ndërkohë që të gjithë nxituan të dilnin nga banesat gjatë dhe pasi lëkundjet përfunduan.
Por ndonëse qytetarët e zakonshëm e kishin mundësinë të hapnin dyert dhe të largoheshin në vend të hapur, për personat që vuajnë dënimet në burgje, leja duhej të jepej nga autoritetet.
Gazetarja e Top Channel, ishte sot në burgun e Shënkollit, në Lezhë, ku ndër të tjera raportoi edhe se si autoritetet e këtij institucioni kishin reaguar menjëherë pas lëkundjeve të forta.
“Trupa policore e shërbimit ka hapur dyert e qelive dhe ka lëvizur të gjithë të dënuarit dhe të paraburgosurit në fushat e ajrimit”, tregoi për Top Channel Gjovalin Tuci, efektiv në burgun e Shënkollit.
Ai theksoi se kjo është një procedurë që zbatohet në raste të tilla, duke përforcuar njëkohësisht edhe perimetrin e sigurisë.
Aktualisht, në burgun e Shënkollit qelitë nuk mbyllen me kyç për të bërë të mundur daljen e të dënuarve në rast se ka sërish lëkundje të tokës.