Ja universitetet më të mira në botë për vitin 2025
Renditja e universiteteve botërore tregon se MIT është në krye të listës për të 13-in vit radhazi, i ndjekur nga Imperial College London dhe Oxford.
Universitetet më të mira në botë janë zbuluar në edicionin e 21-të të renditjes botërore të universiteteve QS.
Lista kryesohet sërish nga Instituti i Teknologjisë i Massachusetts (MIT), i cili ndodhet në Kembrixh, Massachusetts në SHBA. Ky institucion shkollor për të 13 vit radhazi po mbretëron, raporton euronews.
Dy universitetet në radhë gjenden në Mbretërinë e Bashkuar – Imperial College London, i cili u zhvendos nga pozita e 6-të për të siguruar vendin e dytë dhe Universiteti i Oksfordit në të tretin.
Universiteti i Harvardit u rendit sërish në vendin e katërt këtë vit me një rezultat prej 96.8, i ndjekur nga Universiteti i Kembrixhit, i cili përmbylli top 5 me një rezultat prej 96.7.
Vlerësimi vjetor i këtij viti është më i madhi ndonjëherë, duke përfshirë më shumë se 1500 universitete, transmeton Telegrafi.
Mënyra e vlerësimit për renditjen përfshinin reputacionin akademik dhe të punëdhënësit, raportin fakultet-student, citimet për fakultet, raportin e fakultetit ndërkombëtar, raportin e studentëve ndërkombëtarë, rrjetin ndërkombëtar të kërkimit, rezultatet e punësimit dhe qëndrueshmërinë.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara ishin vendi më i përfaqësuar këtë vit, me 197 institucione të renditura dhe disa nga renditjet më të larta, Evropa arriti një sukses të krahasueshëm. Institucionet evropiane, kryesisht në Britani të Madhe pretenduan gjysmën e 10 pozicioneve të para.
Britania e Madhe kishte numrin e dytë më të lartë të universiteteve në renditje, me katër prej tyre në top 10.