Ja vendimi për Skënderbeun
Pritja e gjatë e Skënderbeut, ka marrë fund ditën e sotme duke qenë se nga Lozana ka ardhur vendimi përfundimtar që KAS-i ka marrë në lidhje me dënimin 10-vjeçar që UEFA kishte dhënë. Ashtu siç edhe pritej, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ka dalë sot në një komunikatë për shtyp, ku edhe ka publikuar vendimin e dhënë për klubin korçar.
KAS-i ka vendosur që të lërë në fuqi dënimin për të përjashtuar Skënderbeun për 10 vite nga kompeticionet Evropiane, dënim ky i dhënë pak kohë më parë nga UEFA. Megjithëse besimi në kampin korçar ishte i madh se nga Lozana mund të vinte një lajm i mirë, kjo gjë nuk ka ndodhur. Ëndrra e shumë tifozëve të cilët kishin organizuar edhe protesta për të hedhur poshtë dënimin, tashmë është “vrarë” dhe mbetet të shihet vetëm reagimi i klubit pas këtij vendimi.
Në vitet e fundit, Skënderbeu ka qenë dominues në Shqipëri, por vendimi i dhënë nga UEFA pak kohë më parë, bëri që të kishte jo pak lëkundje dhe u larguan shumë futbollistë. Pas këtij konfirmimi të dënimit nga KAS-i, pritet që largimet të jenë edhe më të shumta.
Ja vendimi i plotë
Gjykata arbitrazhit sportit ka hedhur poshtë apelimin nga klubi futbollit shqiptar Skënderbeu kundër vendimit të dhënë nga Komisioni i Apelit të UEFA-s më 26 prill 2018, i cili konfirmoi vendimin e dhënë më 29 mars nga komisioni i UEFA-s për Etikën dhe Disiplinën, i cili e shpalli Skënderbeun përgjegjës për aktivitete të ndryshme manipulimi ndeshjesh, dhe e përjashtoi klubin nga kompeticionet e UEFA-s për të cilat do të kualifikohej në 10 vitet e ardhshme dhe urdhëroi klubin të paguante një gjobë prej 1 milionë euro.
Në maj 2018 Skënderbeu apeloi në CAS duke kërkuar që vendimi dhe sanksioni disiplinor të anulohej. Arbitrazhi i CAS u zhvillua nga një panel juristë të KAS të cilët zhvilluan një mbledhje me palët në zyrat e CAS në 16 prill 2019.
Në bazë të evidencave, paneli i KAS arriti në përfundimin e kënaqshëm se Skënderbeu ishte përgjegjës për aktivitetet: manipulime ndeshjesh dhe arriti në konkluzionin se sanksionet disiplinore të dhëna nga komisioni disiplinor i UEFA-s ishin në përmasë të drejtë dhe të justifikuara. Në përputhje me këtë, ai hodhi poshtë apelimin dhe konfirmoi vendimin.