Jack Smith emërohet kryeprokuror i Gjykatës Speciale
Prokurori amerikan, Jack Smith është emëruar kryeprokuror i Dhomave të Veçanta apo Gjykatës Speciale për krime lufte.
Smith është emëruar pas një procesi të përzgjedhjes i organizuar nga Bashkimi Evropian (BE).
Siç thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale, Smith ka përvojë në hetime politike të rangut të lartë dhe hetime penale ndërkombëtare.
Prokurori Smith do të jetë pasardhës i David Schvendimanit, i cili ishte kryeprokurori i parë, por e kishte lëshuar detyrën më 31 mars kur skadoi emërimi i tij si zyrtar i shërbimit të Jashtëm amerikan.
“Është nder dhe kënaqësi që më ofrohet kjo sfidë dhe jam i gatshëm t’i çoj hetimet më tej”, u shpreh Smith, thuhet në një njoftimin e Gjykatës Speciale.
Kryetarja e Dhomave të Specializuara apo e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka përshëndetur emërimin e Prokurorit të ri të Specializuar, Jack Smith.
Ajo ka thënë se ky emërim është bërë në përputhje me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Me këtë rast, ajo i ka ofruar bashkëpunim prokurorit të ri të Gjykatës Speciale
“I ofroj z. Smith përgëzimet e mia të sinqerta me rastin e emërimit të tij dhe kam besim që përvoja e tij e gjatë në fushën e hetimeve dhe ndjekjeve penale, si në Shtetet e Bashkuara ashtu dhe në nivel ndërkombëtar, do të shërbejë për përmbushjen e mandatit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Do të kem kënaqësinë të krijoj marrëdhënie të frytshme pune me z. Smith dhe kam besim se Zyra e Prokurorit të Specializuar do të bëjë përparim të mëtejshëm në drejtim të përmbushjes së mandatit të saj”, ka thënë Trendafilova.
Kjo është biografia e prokurorit të ri të Gjykatës Speciale
Jack Smith, është prokuror amerikan me përvojë në hetime politike të rangut të lartë dhe hetime penale ndërkombëtare.
Aktualisht, z. Smith është nënkryetar dhe kreu i seksionit të padive i Korporatës Spitalore të ShBA-së, organizata shëndetësore joqeveritare më e madhe në Shtetet e Bashkuara, një post të cilin e ka pasur që në shtator 2017.
Nga shkurt 2015 deri në gusht 2017, Smith ishte ndihmësprokuror i parë federal dhe ushtrues i detyrës së prokurorit federal për rajonin e mesëm në Tenësi (Tennessee).
Gjatë periudhës 2010-2015, Smith ishte kreu i seksionit për integritet publik në Departamentin e Drejtësisë së ShBA-së, ku ishte i ngarkuar me mbikëqyrjen e procedimit të çështjeve të ndërlikuara për korrupsion publik anembanë Shteteve të Bashkuara.
Nga 2008 deri më 2010, Smith ishte koordinator për hetime në Zyrën e Prokurorit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GjPN). Në atë post, ai mbikëqyri hetime delikate të zyrtarëve të qeverive të ndryshme dhe të milicisë, për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.
Para detyrës në GjPN, Smith ishte në Zyrën e Prokurorit Federal për Rajonin Lindor të Nju Jorkut, ku gjatë nëntë vjetëve pati poste të ndryshme, ndër të cilat kreu i zyrës për paditë penale dhe zëvendësshef i Seksionit Penal. Si kreu i zyrës për paditë penale, Smith kishte në vartësi afërsisht 100 prokurorë penalë në një sërë fushash, si korrupsioni publik, terrorizmi, bandat dhe krimi i dhunshëm, si dhe mashtrimet financiare dhe krime të natyrës ekonomike.
Para detyrës si ndihmësprokuror federal, Smith punoi për pesë vjet si ndihmësprokuror rajoni në Zyrën e Prokurorit të kontesë së Nju Jorkut, ku ai ishte në seksionin për vepra penale seksuale dhe dhunë shtëpiake.
Gjatë karrierës së tij, Smith ka marrë një sërë çmimesh. Këtu përfshihen çmimi për drejtor nga Departamenti i Drejtësisë i ShBA-së; çmimi i prokurorit të Përgjithshëm për Shërbime të Shquara; çmimi për Juristët e rinj nga Shoqata Federale e Juristëve; çmimi Charles Rose nga Shoqata e Rajonit Lindor; Medalja Henry L. Stimson nga Shoqata e Juristëve të kontesë së Nju Jorkut dhe bursa pasuniversitare Ëasserstein e Fakultetit Juridik të Harvardit.
Ai është diplomuar në Fakultetin Juridik të Harvardit dhe në Universitetin Shtetëror të Nju Jorkut në Oneonta.