Jaguari i të ardhmes…/ Nga 2025, vetëm makina tërësisht elektrike
Jaguar, marka e makinave luksoze në pronësi indiane, do të prodhojë vetëm makina elektrike nga 2025 dhe do të ristrukturojë operacionet e saj jo prodhuese në Britaninë e Madhe – njoftoi kompania të hënën.
“Deri në mes të dekadës, Jaguar do të ketë rilindur si një markë e pastër makinash elektrike luksoze”, thuhej në një deklaratë nga Jaguar Land Rover, që synon të bëhet një kompani me zëri emetime karboni deri në 2039.
Kompania tha se do të reduktojë dhe racionalizojë si pasojë e këtij operacioni, infrastrukturën jo prodhuese në Britaninë e Madhe. Sidoqoftë ajo nuk saktësoi nëse kjo do të thotë reduktim të vendeve të punës në të ardhmen.
Kompania do të investojë 3.5 miliardë dollarë në vit në kuadër të planit të saj të rilindjes, që parashikon edhe modelin e parë tërësisht elektrik të Land Roverit, në 2024. “Në thelb të planit tonë të rilindjes do të jetë elektrifikimi i Land Rover dhe jaguar, në arkitektura të ndara, me dy personalitete të veçanta dhe unike”, thuhej në deklaratë. Jaguar dhe Land Rover, janë në pronësinë e Tata Motors, që në anën tjetër është pjesë e konglomeratit indian Tata Group.